Aleanca Kosova e Re (AKR), Dega në Gjilan, ka mbajtur sot Kuvendin e V-të Zgjedhor në të cilin është zgjedhur kryetar i degës, Arianit Ibrahimi. Ai do të jetë në krye të AKR-së së Gjilanit në një mandat katërvjeçar.
Ibrahimi tha se pas një procesi mirë të organizuar të zgjedhjeve të brendshme në themelimin e nëndegëve të reja në lagjet dhe fshatrat e qytetit, arritën me sukses të madh të përmbyllim këtë fazë me një Kuvend madhështor.
“Shpreh falënderimet ma të përzemërta për besimin e dhënë nga Delegatë në Kuvend, që për mandatin katërvjeçar më votuan për Kryetar të Degës. Faleminderit Presidentit të AKR-së, z.Behgjet Pacolli i cili është udhërrëfyes në rrugëtimin tonë, lideri që i priu shumë zhvillimeve në vend me konstruktivitetin e tij në shumë procese. Faleminderit Sekretarit të Përgjithshëm të partisë z.Vesel Makolli, i cili i jep energji pozitive çdo organizimi dhe është një bashkëpunëtor i pakrahasueshëm për çdo çështje. Faleminderit të veçant kam për Kryetarin e gjertanishëm të Degës z.Ismet Hajdini me të cilin organizuam e kaluam në shumë procese të përbashkëta, mbetet njeriu më i respektuar e i nderuar. Jam me fat dhe i privilegjuar që ecim së bashku tutje në politikë”., ka thënë Arianit Ibrahimi.
Kreu i ri i AKR-së së Gjilanit tha edhe se ekipin që e prezantoi para delegatëve, iu jep besimin e thellë se Dega e AKR-së në Gjilan, do të jetë një fuqi determinuese e politikave lokale.
“Ne synojmë ta rikthejmë AKR-në dinjitetshëm në pozitën që duhet të jetë në skenën politike në qytet. Kemi potencialin e duhur që me Kryesinë e re ta rrisim konstruktivitetin në organizim dhe të jemi aktual me trajtimin e temave me rëndësi për qytetarin gjilanas.
I pari i AKR-së së Gjilanit tha tutje se Gjilanit i duhet një parti si AKR, e cila ka njerëzit më të sinqertë dhe punëtor brenda saj, ka kuadro të dëshmuara në profilet e tyre profesionale, andaj janë të gatshëm që në çdo proces zgjedhor të jenë të gatshëm të korrin rezultate që do t’i bëjnë të ndihen krenar.
“Ky rrugëtim i ri, do të jetë motiv shtesë për ne që me tërë energjinë tonë që e kemi si Ekip do të jemi aktual në të gjitha temat me të cilat preokupohen qytetarë të i ngritim në instancat e komunës duke u nisë nga Kuvendi Komunal. AKR Dega në Gjilan, do të jetë zë i fuqishëm për të mirën e përgjithshme të qytetarëve”, ka thënë Ariainit Ibrahimi, i cili nga sot do t’i prijë Degës së AKR-së, në Gjilan. /2LONLINE/