“Pas një edicioni me shumë mund dhe sakrificë tek SC Gjilani, me ç’rast siguruam garat evropiane, kemi rënë dakord për mbylljen e bashkëpunimit. Ky vit tek SC Gjilani do mbetet përgjithmonë në zemrën time pasi që ishim gjithnjë të bashkuar dhe të pathyeshëm pavarësisht rrethanave”, ka shkruar në profilin e tij, futbollisti Arbnor Ramadani, pas përmbylljes së angazhimit të tij në klubin gjilanas.
Ai është rikthyer te skuadra e Llapit dhe për këtë drejtuesit e klubit llapjan janë shprehur të kënaqur duke thënë se mesfushori fantastik, Arbnor Ramadani është rikthyer sërish në shtëpinë llapjane.
“Pas përfundimit të kontratës me Gjilanin, drejtuesit e klubit me ngulm kanë kërkuar që Noli të jetë vetëm i yni, andaj edhe kemi nënshkruar kontratë të vlefshme për 2-vitet e ardhshme. …ai së bashku me Drejtorin Sportiv, Mentor Zhdrella kanë udhëtuar drejt Ohrit dhe menjëherë është vënë në dispozicion të shtabit teknik në përgatitjet për edicionin e ri”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e K.F. Llapi.
Përndryshe, ja postimi i plotë përshëndetës i Arbnor Ramadanit, pas përmbylljes së bashkëpunimit me SC Gjilani.
Përshëndetje miq,
Pas një edicioni me shumë mund dhe sakrificë tek SC Gjilani, me ç’rast siguruam garat evropiane, kemi rënë dakord për mbylljen e bashkëpunimit.
Ky vit tek SC Gjilani do mbetet përgjithmonë në zemrën time pasi që ishim gjithnjë të bashkuar dhe të pathyeshëm pavarësisht rrethanave.
Dua të falenderoj përzemërsisht Presidentin e klubit, Florim Zuka për mbështetjen dhe korrektësinë, gjithë stafin e administratës, shtabin teknik për punën profesionale si dhe bashkëlojtarët e mi për kohën e mrekullueshme të kaluar së bashku.
Një falenderim të veçantë “Skifterave” që na qëndruan çdo herë pranë dhe ishin lojtari ynë i 12-të në fushë. Momentet e bukura me Skifterat dhe tifozët gjilanas do i mbaj përherë në mendjen time.
Ju faleminderit shumë të gjithëve
Me respekt
Arbnor RAMADANI