“Sot në takimin e radhës së Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkuam që të largohen masat kufizuese dhe të rikthehet liria e plotë e lëvizjes”, ka bërë me dije, Arbër Ismajli, nënkryetari i Komunës së Gjilanit.
Ai kërkoi që të harmonizohen aktivitetet mes nivelit qendror dhe atij lokal në përcjelljen e respektimit të masave nga operatorët ekonomik, që është parakusht i funksionimit dhe respektimit sa më mirë të ligjit Nr. 07/L-006 për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19.
“Po ashtu, kërkuam të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e qeverisë për furnizim me vaksina, si dhe ajo që mbetet më e rëndësishme është që para secilit vendim të qeverisë të konsultohen edhe kryetarët e komunave, që vendimet të jenë në harmoni me komunat, e jo të jenë vendime ad hoc, të cilat më pastaj shkaktojnë probleme të parikuperueshme në raport me qytetarët dhe bizneset”, ka thënë nënkryetari Ismajli.
Përndryshe, ditë më parë, nënkryetar Ismajli ka thënë se vendimet e fundit të qeverisë që kanë të bëjnë me masat anticovid janë të ngutshme dhe të dëmshme, e nga të cilat po pësojnë shumë biznese.
Sipas tij, mbyllja e gastronomisë ishte vendimi më i gabuar dhe i ngutshëm i Qeverisë, pasi nuk po pësojnë vetëm gastronomet por një zinxhirë biznesesh. Po ashtu vendimet e qeverisë kanë dëmtuar edhe sektorin e transportueseve. /2LONLINE.com/