Jo rrallë herë, emri i Arbër Ismajlit, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, është lakuar nëpër profile të ndryshme në facebook, a portale në lidhje me mundësinë që subjekti i tij, LDK-ja, ta kandidojë për kryetar komune, madje edhe në periudhat kohore kur zgjedhjet nuk janë fare afër.
Shpeshherë emri i tij vendoset karshi figurave të tjera në LDK-së, për t’u bërë një matje, që të krijohet një opinion mbi këtë çështje, apo edhe një krahasim mes atyre figurave, fuqisë së tyre brenda partisë.
Kundër kësaj pothuajse ka reaguar përherë nënkryetari Ismajli duke u deklaruar mbi këtë çështje, madje nuk e ka përjashtuar as mundësinë që këto sondazhe të bëhen me qëllime jo të mira.
Ai i quan edhe lojëra politike. Sondazhe të tilla mund të synojnë konsumimin e figurave të përfshira, degradimin politik, nxjerrjen në pah të ndonjë të dhëne që mund t’ju shërbejnë kundërshtarëve politik, nxitje të rivalitetit përbrenda partisë, nxitje të grupacioneve për dhe kundër, e shumëçka tjetër, përveç se jo një matje reale dhe përmendje e figurave politike që vërtetë mund të jenë të përfolura apo përzgjedhura për t’u shqyrtuar si kandidatura të mundshme të LDK-së.
Duke iu referuar zhvillimeve të deritanishme në skenën politike të Gjilanit, me theks të veçantë, në LDK, si subjekt pozitë në Gjilan, mund të thuhet lirshëm se kandidatura e mundshme e LDK-së, për kryetar të Komunës së Gjilanit, në zgjedhjet lokale kurdo që ato do të mbahen, është “ekskluzivitet” i kreut të degës së LDK-së, Lutfi Hazirit, që njëherësh është edhe kryetar komune.
Përkundër deklarimeve të shumta të tij, se nuk do të garonte dhe për një mandat duke nënkuptuar se ka ardhur koha për kuadrot tjera që do garojnë për të parin e komunës, mjafton pastaj një deklaratë e tipit, “…nëse e kërkon struktura dhe anëtarësiae LDK-së…”, nga ana e tij, dhe ta kemi prapë Hazirin kandidaturën e padiskutueshme të LDK-së, në garën për kryetar komune.
Zaten, tani për tani, ai edhe mbetet kandidatura e vetme serioze e LDK-së për një garë të tillë, për ta ruajtur “kryetarllakun” në Gjilan, veçmas, pas suksesit të Lëvizjes Vetëvendosjes në zgjedhjet nacionale, e që po shihen si trasim rruge që suksesi i tillë të vijë natyrshëm edhe në nivel lokal.
Sido që të jetë, sondazhe të tilla, se kë do ta kandiddojë LDK-ja e Gjilanit për kryetar komune, që plasohen nëpër rrjete sociale, e ku në to përfshihet edhe nënkryetari i komunës, Arbër Ismajli, karshi bashkëpartiakëve të tij, ka bërë që ai edhe sot të reagojë kundër sondazheve të tilla “fejzbukjane”.
“Lakimi i emrit tim nëpër sondazhe, e kam ritheksuar shumë herë që me ose pa qëllime të porositura, nuk i bënë nder askujt, sepse asgjë nuk ka konkrete në këtë drejtim pasi që jemi ende larg zgjedhjeve.”, kështu ëshët shprehur nënkryetar i komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, lidhur me këtë çështje.
“Për mua koha është e artë, dhe besimin që kam marrë si nënkryetar komune do ta zbatojë deri në fund, me shumë pune dhe përgjegjësi”, ka shkruar në profilin e tij, nënkryetari Ismajli.
Ja postimi I plotë
Të dashur qytetarë,
Asnjëherë, nuk kam qëndruar në politikë për të pretenduar pozita e arritje. Ajo që më ka bërë të qëndrojë gjithmonë në politikë, janë qytetarët, puna dhe besimi në shërbim ndaj tyre. E potencojë që asnjë ambicie nuk e kam të jem pjesë e garës. Lakimi i emrit tim nëpër sondazhe, e kam ritheksuar shumë herë që me ose pa qellime të porositura, nuk i bënë nder askujt, sepse asgjë nuk ka konkrete në këtë drejtim pasi që jemi ende larg zgjedhjeve. Për mua koha është e artë, dhe besimin që kam marrë si nënkryetar komune do ta zbatojë deri në fund, me shumë pune dhe përgjegjësi. Unë, asnjëherë nuk bie preh e këtyre lojërave politike. I vetmi pretendim i imi është me përfundu detyrën me përplot nder e krenari. Politika i ndanë akterët në tri klasa: Në njerëz të drejtë, në vegla dhe në armiq. Miq, unë, gjithmonë i përkas të parës! /2LONLINE.com/