Përgjatë dy javëve, me një periudhë ndërmjet marrjes së propozimeve dhe votimeve për projekte, prej katërmbëdhjetë ditëve sa zgjati verifikimi i tyre në drejtoritë përkatëse, nga data 3 deri në ditën e 22-të muaji qershor ishte muaji i buxhetimit me pjesëmarrje në Komunën e Gjilanit.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Arbenita Sopi Haziri, tha se 359 pjesëmarrës si qytetarë aktiv dhe të përfshirë në proceset vendimmarrëse, nga katër lokalitete: Malishevë, Livoç i Ulët, Kravaricë, Velekincë dhe tri grupe të komuniteteve jo shumicë: komuniteti turk, serb dhe rom, morën pjesë dhe vendosën për projektet që Komuna e Gjilanit do t’i realizoj gjatë vitit 2025, për ta.
“Parqe, ndriçim publik, rrugë, një terren sportiv dhe një sallë sporti ishin kërkesat që morëm nga vendimmarrja e drejtpërdrejtë lokale”, tha Arbenita Sopi Haziri.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme tregoi se këtë vit për këtë aktivitet vlera e shpërndarë në shtatë projekte është 280,000 euro, ndërsa synojmë rritjen e pjesëmarrjes me rritje të numrit të lokaliteteve e grupeve të përfshira dhe rritje të vlerës së investimeve për vitet në vijim, duke zhvilluar praktika të mira në planifikim dhe vendimmarrje e duke krijuar traditën në vazhdimësi.
Sipas saj kjo po bëhet për më shumë transparencë dhe llogaridhënie, mbikëqyrje të shpenzimit të fondeve komunale dhe caktim përmes votës qytetare të prioriteteve për projekte, buxhetimi me pjesëmarrje u realizua edhe këtë vit me mbështetje nga USAID- Aktiviteti Kontrata Sociale, organizatë partnere e Komunës së Gjilanit në disa projekte.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Arbenita Sopi Haziri falënderoi secilën e secilin, 150 pjesëmarrësit e takimeve të para dhe 209 pjesëmarrësit e takimeve të dyta, të gjithë qytetarët që morën pjesë dhe vendosën në vitin e dytë të Buxhetimit me pjesëmarrje në Komunën e Gjilanit. /2LONLINE/