(2LONLINE) – Arben Maliqi aktualisht këshilltar i Kuvendit Komunal të Gjilanit, është përjashtuar nga AKR, partisë të cilës i takonte deri më sot.
“Dega e AKR-së në Gjilan, në bashkëpunim më përfaqësuesit e qendrës, duke pasur për bazë përgjegjësinë direkte të udhëheqësit të fushatës, njëkohësisht i ngarkuar me financa, Arben Maliqi dhe dëshmitë për keqpërdorim te detyrës zyrtare dhe sabotim të fushatës zgjedhore, ka marrë vendim të përjashtojë nga anëtarësia e AKR-se Maliqin, me çka edhe i pushojnë të gjitha drejtat dhe përgjegjësitë ndaj AKR-së”, ka thënë për 2lonline Sami Spahiu, sekretar i derisotshëm i Degës së AKR-së.
Ai tha se AKR më këtë rast shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme në Gjilan dhe njëkohësisht ju bën me dije të gjithë qytetarëve të Gjilanit, se është e vendosur të ndërtojë subjekt politik liberal, që i shërben qytetarit dhe interesave të tij. AKR, asnjëherë nuk do të jetë peng i atyre të cilët pretendojnë të keqpërdorin të mirat e subjektit AKR.
Ndryshe, Spahiu ka bërë të ditur se Dega e AKR-së në Gjilan, ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë së degës në të cilën morën pjesë edhe zyrtarët nga kryesia qendrore e partisë. Në këtë mbledhje u shqyrtua raporti i degës për zgjedhjet lokale të vitit 2013, ku pas diskutimeve të shumta, u konkludua se faktor ndikues në rezultatin jo të kënaqshëm në zgjedhjet lokale, ishte mungesa e përgjegjësisë nga drejtuesit e fushatës zgjedhore.
Ai tha se në mbledhje u diskutua edhe për raportin financiar të përgatitur nga Komisioni i degës. Nga raporti janë vërtetuar parregullsi në menaxhimin e financave, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt edhe në pamundësinë e zhvillimit te aktiviteteve politike, duke ja pamundësuar degës së AKR-së në Gjilan paraqitjen e projektit zgjedhor para opinionit publik.
Më pas ai bëri të ditur edhe vendimin që është marrë dhe arsyet për përjashtimin e Maliqit nga AKR. /2lonline/