Janari është muaji që na bënë ti hedhim një sy të kaluarës, për të parë nga erdhëm, ku jemi dhe kah po shkojmë, çfarë rruge kemi bërë dhe çfarë do të bëjmë në të ardhmen. Por, janari, gjithashtu, për ne shqiptarët është shumë i veçantë. Eshtë muaj i dhimbjeve dhe i krenarisë, poashtu edhe i vendimeve historike. Në shenjë të përkujtimit të shumë vdekjeve jo të natyrshme që i kryen armiqtë e kombit tonë, është pa mëdyshje edhe Aqif Blyta me bashkëpunëtorë, për të cilin do të orvatemi t’i shkruajmë disa rreshta në shenjë përkujtimi.
Shkruan: Ismet Azizi
Aqif Blyta është nipi i Haxhi Bulës, i cili 60 vjet më parë kishte shkuar në Pazarin e Ri që të merrej me tregti. Më vonë me vete kishte marrë edhe familjen. Në vitin 1894, djalit të tij të vogël, Eminit, i kishte lindë një djalë të cilin e pagëzoi me emrin Aqif.
Emini, babai i Aqifit, u kujdes qysh herët që i biri të vazhdojë mësimet në ndonjë shkollë, ngase shihte tek ai një lloj pjekurie e talenti të veçantë, një lloj ngazëllimi të madh përpara librave. Por, Pazarit të Ri gjatë viteve 1902-1903, i mungonin shkollat dhe sidomos ato shqipe. Është kjo arsyeja që Emin Blyta i jep disa mësime privatisht të birit duke e përgatitur për të vazhduar tutje shkollimin, larg shtëpisë. Aqifi dhjetëvjeçar u përball me një qytet të madh siç ishte Izmiri i Turqisë. Në Seneixhe të Izmirit ai vazhdoi shkollimin në Gjimnaz. I ngazëllyer me shqiptarët e shumtë që komandonin në ushtrinë turke, u regjistrua në shkollën ushtarake në Stamboll, mandej në Manastir, ku morri gradën nëntoger.
Në vitet 1915-1918, Aqif Blyta komandoi disa reparte të ushtrisë turke. Lufta e Parë Botërore do të sillte pështjellime të mëdha jo vetëm për Ballkanin por edhe për Evropën, andaj formacionet luftarake osmane do të përballeshin me situata e detyra të vështira taktike e strategjike. Aqifi, tashmë me gradën e kapedanit,do të udhëhiqte disa luftime të reparteve të tij duke u bërë shembull i trimërisë dhe pjekurisë në marrjen e vendimeve luftarake.
Pranvera e vitit 1919, solli ndryshime të mëdha në jetën e Aqif Blutës. I plagosur dy herë në luftë, i graduar dhe i propozuar për të marrë gradime të reja, Aqif Bluta e kupton se rruga e tij tani ishte vetëm ajo që po e çonte në Pazarin e Ri. Miqve të vet në prag të kthimit ju thotë ;
“Shkolla e burrnija s’na ka mungue askurrë na shqyptarvet të ardhun këtu në Stamboll. Por per mue,ajo çka i dhash Turqisë asht e mjaftueshme. Hije s’po me ka me mbush gjoksin me dekorata kur kufinin e Shqypnisë e kërcnon serbi e greku natë me natë. Po iki e po ju tham edhe ju që të hidhni dyfekët e turkut për me mbrojt votrat tona “.
Me tu kthyer në verën e viti 1919 te prindërit në Pazarin e Ri, menjëherë u martua me Mahijen të bijën e Halit Komanit nga Gjakova.
Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i asaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Duhet theksuar se që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë jo serb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo – Kroate – Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizit ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e para ishin përgjegjës ishin nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues, me tërheqje shorti, kishin caktuar Hasë Rozhajën por më në fund ishin tërheqë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Aqif Blyta organizon mbrojtjen e Pazarit të Ri nga çetnikët të cilët vinin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e Pazarit të Ri dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive shqiptare nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovar nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës, arritën t’i mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, Aqif Blyta iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët pastaj e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Ahmet Dacën, të cilin e kishte dhëndërr (burri i motrës) me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZN-a jugosllave.
Jusuf Popllata nga Pazari i Ri, i cili më vonë qe shpërngulur në Turqi, ngjarjen e ekzekutimit e përshkruan në këtë menyrë:
“Në çarshi jehoi lajmi se të nesërmen në Haxhet do të ekzekutohet Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Në atë kohë si 15 vjeçar, isha në policinë partizane. Nga kureshtja u nisa të dal në Haxhet me shokun tim Medo Rozhajën. Trashësia e borës kishte arritur deri në gjunjë. Populli ishte tubuar në livadhet Haxhetit të cilat ndodheshin në anën e djathtë të spitalit të sotshëm. Dikur aty ka qenë një teren futbolli. Në livadhe përveç masës së popullit kanë qenë edhe rreth 300 ushtarë. Ata kanë qene të rreshtuar përballë neve. Të gjithë me shikim ishim të kthyer kah burgu i qytetit nga i cili pritnim të dilnin Aqif Efendia dhe Ahmet Daca. Nuk kaloi shumë kohë dhe dolën të lidhur këmbë e duar. Ushtarët i sollën deri te shtyllat telefonike dhe i lidhën për të me zinxhir me duar mbrapa. U dha urdhri që të bëhet ekzekutimi. Dhjetë ushtarë dolën para tyre. Oficeri partizan dha urdhrin që të kryhet ekzekutimi. U dëgjuan refalet dhe që të dyve iu lëshuan kokat poshtë. Doktori Benqan, një slloven i cili punonte në Pazarin e Ri, ishte i caktuar të konstatoj vdekjen e tyre. Ua vuri dorën për të vërtetuar pulsin dhe ua bëri me dije se Amet Daca ende ishte gjallë dhe i rrihte pulsi i zemrës. Një partizan i “vogël”, i cili ende nuk i kishte as 14 vjet, iu ofrua, nga kraharori hoqi pushkën automatike gjermane dhe e qëlloi në kokë Ahmet Dacën. Nga koka gjaku shpërtheu në të gjitha anët. Pastaj nga këmbët ua hoqën këpucët (opingat), çorapët e leshit, orët nga dora dhe kaputat. Neve na është urdhëruar që të shpërndahemi dhe se çka ka ndodhë me trupat e tyre askush nuk dinim”.
Kështu dhe në mënyra të ndryshme pleqtë e moshuar i kujtojnë momente të caktuara nga e kaluara me njeriun më të çmuar të kësaj treve. Përveç të moshuarve, edhe gjeneratat e reja me krenari përkujtojnë Aqif Blytën.
Aqif Blyta dhe bashkshortja Mahijen nuk kanë lënë pasardhës. Megjithatë, ata birësuan dy fëmijë jetim që i sollën nga Gjakova, Qamilin dhe Mejremen. Përndryshe i vetmi pasardhës i gjallë ende është mbesa e tij nga motra.
Shqiptarët dhe popullsia myslimane e Sanxhakut e mbajnë në mend Aqif ef. Blytën si një një tribun popullor, lider me autoritet të padiskutueshëm, orator i aftë dhe poliglot. Këtij personaliteti të rëndësishëm i takojnë të gjitha meritat për futjen e popujve të besimit islam siç ishin Shqiptarët, Boshnjakët dhe Turqit të Sanxhakut, Kosovës dhe Maqedonisë në jetën parlamentare të Mbretërisë së Jugosllavisë (1918-1945).
Aqif Blyta, poashtu, është njëri nga themeluesit e Xhemijetit – partisë politike që përfaqësoi dhe mbrojti interesat e tre kombeve, e cila u ndalua në vitin 1924, pas një shkrimi protestues të udhëheqësisë së saj drejtuar parlamentit për krimet e tmerrshme të malazezëve kundër popullatës në Shahoviq dhe Pavin Pole (më shumë se 1.000 të therrur dhe masakruar). Xhemijeti ishte edhe kundër shkatërrimit të xhamisë Burmali në Shkup (në nëntor 1924), në të cilën vend është ndërtuar ndërtesa e Klubit të Oficerëve serb (e shkatërruar nga tërmeti në vitin 1963).
Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe rënies së Mbretërisë së Jugosllavisë, midis 6-7 nëntor dhe 6 dhjetor 1941, Aqif Blyta arrinë të organizojë mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe kundërvimit të tri sulmeve të forta çetnike, ku u vranë 756 njerëz, nga të cilat dy të tretat ishin nga rradhët e luftëtarëve të mbrojtjes së Pazarit të Ri, që në atë kohë kishte rreth 8.000-10.000 banorë. Për fat të mirë, në qytet nuk ka pasur viktima të civilëve, pavarësisht nga gënjeshtrat e përhapura kinse aty janë vrarë 7000 qytetarë serbë (e që as sot nuk janë në atë numër).
Jemi dëshmitarë të përhapjes së të pavërtetave të shumta, absurditeteve dhe mashtrimeve të krimeve jo-ekzistuese, çmimit “Iron Cross” (që kurrë nuk i dhuruar ndonjë myslimani), të persekutimit të hebrenjve, duke iu shmangur faktit se vet personalisht Aqif Blyta i ka marrë për t’i mbrojtur qytetarët e vet serb së paku 420 të tillë, ndërsa lidhjet e tij me Turqinë i ka shfrytëzuar për t’i kaluar ato pak familje hebreje me të cilat kishte lidhje biznesore apo miqësore”, thuhet në një reagim të historianëve të Sanxhakut, në lidhje me diskreditimin nga opinioni serb ndaj personalitetit të Aqif Blytës. /2L ONLINE/