…Nëse e marrim parasysh gjithë punën krijuese nga Anton Nikë Berisha, atë që është botuar deri më tash, bindemi se nuk e kemi dhe një emër të dytë që i përafrohet atij, qoftë në sasi po, edhe në cilësi…
…Përkundër se s’ka kaluar e pavërejtur e tërë kjo punë krijuese dhe studimore nga Anton Nikë Berisha, publikut të gjerë ende nuk i është afruar informacion i bollshëm dhe i plotë për veprat e tij, ani pse ato në etapa të ndryshme edhe janë shpërblyer…
Shkrimtari dhe studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, prof dr. Anton Nikë Berisha, sot është njëri nga emrat më produktiv dhe më cilësor i kësaj fushe në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë, në vendet e tjera ku jetojnë, veprojnë dhe krijojnë shqiptarët. Ai njihet si poet, si prozator – romansier, si studiues i letërsisë, si përzgjedhës i veprave të poetëve dhe tregimtarëve po, edhe si përkthyes letrar.
Brenda një viti, nga ky letrar e studiues, i ke së paku dy – tri vepra të botuara, qoftë nga fusha krijuese, poezi, prozë, ose nga ajo e studimeve letrare, po edhe e përzgjedhjeve si dhe e përkthimeve duke sjellë vlera të reja dhe duke e pasuruar letërsinë shqipe me tituj të rinj e tejet të rëndësishëm.
Nga viti 1970 kur troket me veprën e tij të parë poetike – vjersha për fëmijë – “Kthimi i Skënderbeut në Krujë” e deri më sot, janë diku mbi 100 e sa tituj, secili më i rëndësishëm se tjetri, qoftë në poezi, në prozë, në fushën e studimeve letrare, të literaturës së përshpirtshme si dhe të përzgjedhjeve të veprave letrare nga emra të shquar të letërsisë sonë po dhe të huaj.
Romanet “Motra kërkon vëllezërit”, “E bukura e dheut”, “Bimorja”, “Nëna e dritës”, “Gjin Bardhela i arbëresh & Etja e gurëzuar” ose siç është përkthyer në italisht me titullin “Etja e gurëzuar”, “Ferri i lodhur” dhe “Dritë në shtjellën e gërbulës” (Rrëfim i Nënës Tereze), me plot kuptimin e fjalës, renditen ndër romanet më të shquara të gjithë letërsisë sonë.
Kur flasim për studiuesin e letërsisë, nuk e kemi dhe një emër tjetër më prodhimtar se Anton Nikë Berisha. Shumica dërmuese e veprave të tij i përkasin kësaj fushe dhe vështirë të mbahen mend të gjitha.
Qysh mes viteve 1978 – 1990të shekullit të kaluar, Anton Nikë Berisha bëri emër me veprat studimore si: “Përkime poetike”, “Mundësi interpretimi”, “Çështje të letërsisë gojore”, “Teksti poetik”, “Shumësia kuptimore”,“Qasje poetikës së letërsisë gojore shqipe”etj., duke u shquar për saktësinë e vlerësimit dhe për interpretimin e tekstit letrar.
Më pas, pas qëndrimit të tijnë Gjermani e më pas, në Italinë e Jugut, përkatësisht në Universitetin e Kalabrisë, si profesor i letërsisë shqipe, Anton Nikë Berisha do t’ i qaset letërsisë së traditës dhe veçmas letërsisë së arbëreshëve të Italisë, duke e rishfaqur të plotë dhe me një interpretim profesional, ashtu edhe siç i takon një studiuesi të mirëfilltë.
Falë kësaj pune dhe këtij përkushtimi, sot kemi fatin ta njohim më të plotë në tërësinë e shkrimeve dhe të studimeve monografike për Buzukun, Budin, De Radën, Santorin, Skiroin, Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Mark Krasniqin, Azem Shkrelin etj.
Duhet përmendur dhe antologjitë e poezisë së arbëreshëve të Italisë, gojore dhe të shkruar, të cilat Antoni ihartoi me përkushtim dhe i solli mes nesh dhe sot janë pjesë e bibliotekave publike e private. Edhe antologjitë “Burim drite e dashurie” (Antologji e poezisë së përshpirtshme shqipe 1618 – 1998),“Antologji e këngëve kreshnike shqipe” dhe “Antologji e përrallës shqipe” e pasurojnë punën e tij.
Letërsia gojore apo folklori shqiptar është pasuruar shumë nga kontributi shumëvjeçar i Anton Nikë Berishës sa ishte punëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Janë disa blej të botuar me anekdota, me këngë dasme, me këngë kreshnike (në bashkëpunim me Anton Çettën e me autorë të tjerë), me vajtime e elegji, falë punës së zellshme e përkushtuese të tij.
Po ju kthyem përkthimeve letrare, nuk duhet harruar faktin se, për here të parë në shqip, ky studiues e përkthyes i spikatur, solli “Epin e Gilgameshit”, veprën më të moçme të plotë të shkruar që është zbuluar deri më sot, pastaj, “Këngën e këngëve”, dy këngë të “Këngës së Nibelungëve” etj.
Anton Nikë Berisha shquhet edhe si përzgjedhësi krijimeve poetike, qoftë brenda letërsisë shqipe ose asaj të huaj. Janë me dhjetëra e dhjetëra përzgjedhje poetike, të cilat kanë parë dritën, falë punës dhe përkushtimit të tij letrar krijues.
Një angazhim i pashoq i këtij studiuesi letrar është dëshmuar edhe përballë jetës dhe veprës së Shenjtëreshës sonë, Nënës Tereze. Janë mbi 15 tituj librash që shpërfaqin shpirtin e kësaj humanisteje me famë botërore, qoftë përmes krijimeve letrare “Nëna e dritës” (roman), “Ujëvarë drite në zemër” (refleksione poetike), Dritë në zemër (dramë), “Dritë në shtjellën e gërbulës” (roman) po edhe të veprave të tjera të natyrës vështruese dhe interpretuese, që shpërfaqin figurën madhore të Nënës Tereze.
Nëse e marrim parasysh gjithë punën krijuese të Anton Nikë Berishës, atë që është botuar deri më tash, bindemi se nuk e kemi dhe një emër të dytë që i përafrohet atij, qoftë në sasi po, edhe në cilësi.
Përkundër se s’ka kaluar e pavërejtur e tërë kjo punë krijuese dhe studimore e Anton Nikë Berishës, publikut të gjerë ende nuk i është afruar informacion i bollshëm dhe i plotë për veprat e tij, ani pse ato në etapa të ndryshme edhe janë shpërblyer.
Duke e njohur në mënyrë më të plotë veprën e këtij krijuesi të gjithanshëm, bindemi dhe më shumë se ky format i poetit, i romansierit e, para së gjithash, i studiuesit të letërsisë, i duhet sot letërsisë sonë.
Për këtë arsye kësaj here e zgjodhëm si mysafir të këtij numri të revistës sonë për të njohur, qoftë dhe pjesërisht, diçka nga krijimtaria e tij, po edhe për ta vërejtur jehonën e kësaj krijimtarie përmes vlerësimeve të kritikës, sidomos asaj italiane, ku vepra e Anton Nikë Berishës ka zgjuar një interesim të dukshëm, siç dëshmohet edhe me vëllimin Romanzo di estrema bellezza (Roman i bukurisë së skajshme). 22 shkrimtarë dhe studiues italianë dhe arbëreshë për romanin e tij të përkthyer në italisht me titull “La sete pietrificata” (që në të vërtetë është romani i tij “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” – Prishtinë 2002) të Anton Nikë Berishës, përgatitur nga Albana Alia dhe Labinot Berisha (Faik Konica, Prishtinë 2016), që së shpejti do të botohet edhe në gjuhën shqipe si dhe vëllimi “Prushi i bukurisë vepër e madhe arti” të cilin do ta botojë shtëpia jonë botuese “Beqir Musliu, ku janë përfshirë punimet e 22 autorëve, shqiptarë dhe të huaj, për veprën e tij “Prushi i bukurisë” të botuar, po ashtu, nga shtëpia jonë “Beqir Musliu (2015).