Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” nga Vitia, ka vazhduar me rezultate të mira edhe më tej, ku në fundjavën e kaluar është vlerësuar nga juria profesionale, si Ansambli më i mirë nga të gjithë pjesëmarrësit e Festivalit mbarëkombëtar “Vallja dyshe në breza” që u mbajt në Librazhd më 6 dhe 7 shtator.
Në këtë edicion të 8-të me radhë, morën pjesë 19 ansamble dhe grupe nga të gjitha trevat shqiptare, të cilat prezantuan vlera kulturore tradicionale të trevave nga vijnë. Ansambli “Kemajl Azizi”, u përfaqësua nga dy valltarët e shkëlqyeshëm Patriot Osmani e Venhar Ismajli, që u mirëpritën nga të pranishmit, duke u vlerësuar nga juria si dyshja më e mirë në valle, me paraqitje dinjitoze.
Kryetari i Ansamblit Adnan Zenuni ka theksuar se çmimi i parë, është edhe një dëshmi e përkushtimit të madh të anëtarëve të këtij ansambli, që me pjesëmarrjen edhe në festivale si brenda dhe jashtë Kosovës, po tregon vlera të çmuara kulturore.
“Sa i përket pjesëmarrjes në Festivalin e Librazhdit, ansambli ynë u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku, ndërsa u vlerësua edhe për origjinalitetin dhe profesionalizmin”, tha Zenuni.
Ndërsa drejtori për Kulturë, Rini e Sport Milot Lala, theksoi se “AKV “Kemajl Azizi” po vazhdon të jetë shenja dalluese e së sotmes dhe së ardhmes së kulturës vitiase, falë punës së madhe, profesionalizmit dhe përkushtimit serioz të anëtarëve dhe udhëheqësve të këtij ansambli.
“Ne do të vazhdojmë të japim përkrahje dhe të mbështesim projektet e këtij ansambli përmes sektorit për kulturë, në mënyrë që të vazhdojmë të kemi rezultate të mira edhe në të ardhmen.