Faton Bislimi, i cili ditë më parë ka bërë të ditur se ka vendosur për të kandiduar për Kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka bërë me dije se nuk ka marrë përgjigje akoma në kërkesën e tij bërë kryesisë së LDK-së që t’iu ofrohet lista e delegatëve dhe kontaktet e tyre, ashtu që ndajë me ta programin dhe vizionin e tij për LDK-në.
Bislimi ka bërë me dije se për shkak se deri në këto momente, as nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga LDK, e as nuk iu është dhënë çasje për të kontaktuar delegatët, ka publikuar ofertën në faqen e tij, që delegatët e Kuvendit të 19 Nëntorit të kenë mundësinë ta marrin atë.
“Sot janë bërë pesë ditë që nga dita kur i kam dorëzuar Kryesisë së LDK-së shkresën zyrtare përmes së cilës i kam njoftuar me vendimin tim për të paraqitur kandidaturën time për Kryetar të LDK-së në Kuvendin e Dhjetë Zgjedhor. Në atë shkresë, kam kërkuar që të më ofrohet edhe lista e delegatëve dhe kontaktet e tyre, ashtu që ndaja me ta programin dhe vizionin tim për LDK-në”, ka thënë Bislimi.
Sipas tij, deri në këto momente, as nuk ka pranuar përgjigje zyrtare nga LDK, e as nuk iu është dhënë çasje për të kontaktuar delegatët.
“Kjo është sjellje e papranueshme për një parti institucionaliste si LDK-ja”, ka thënë Bislimi.
Sidoqoftë, ai tha se e ka publikuar ofertën e tij te faqja e tij, duke uruar që delegatët e Kuvendit të 19 Nëntorit ta marrin një kopje.