Ankohen se disa lokalitete po harrohen nga pushteti!

Ankohen se disa lokalitete po harrohen nga pushteti!

Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” nga Gjilani, ka organizuar debatin e radhës me temën:”Prioritetet për fshatrat kryesore, në dëgjimet publike”, në të cilin debat, nga panelistët u tha se kërkesat në dëgjime të tilla janë marrë parasysh dhe do të inkorporohen në planifikimet buxhetore për vitin 2019, e në anën tjetër shumë prej përfaqësuesve të fshatrave apo edhe pjesëmarrësit tjerë, u ankuan se po mungon realizimi i projekteve, e për disa lokalitete u tha se janë harruar krejtësisht nga pushteti kur janë në pyetje investimet.

Shpresa Kurteshi – Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit ka thënë se janë realizuar 10 dëgjimet buxhetore nëpër lokalitete të ndryshme ku janë dëgjuar dhe janë marr kërkesat e qytetarëve për projekte në ato pjesë, të cilat do të inkorporohen në planifikimet buxhetore të komunës.

Ajo ka thënë se edhe viteve të kaluara kanë organizuara debate të tilla, për t’i identifikuara të gjitha prioritetet që kanë qytetarët. Pjesëmarrja ka qenë e kënaqshme në këto dëgjime publike. Janë bërë takime edhe me grupe të ndryshme. Jemi përkujdesur që takimet të ndodhin në ato lokalitete në të cilat më parë nuk kemi pasur debate. Kërkesat e tilla të bëra në këto takimet e fundit do të adresohen në adresa në caktuara, që të inkorporohen në planifikime me qëllim të realizimit të tyre, ka thënë ajo.

Zijadin Maliqi, drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, tha se që nga fundi i majit kanë hyrë në fazën e përgatitjes së buxhetit për vitin 2019 dhe parashikimet e hershme për 2020 dhe 2021. Ai tha se kanë kaluar disa faza për të ardhur deri të planifikimi i buxhetit, e kësaj i kanë paraprirë dëgjimet buxhetore për t’i marr prioritetet dhe ato ti inkorporojnë në planifikimin buxhetor.

“Kemi mbajtur dëgjime publike me pjesëmarrje të kënaqshme. Nuk nevojitet masivitet aty por nevojitet përfaqësues të atyre lokaliteteve që t’i paraqesin kërkesat. Ato që janë paraqitur deri më tani janë kërkesat të arsyeshme, janë kërkesa të nevojshme të cilat janë marrë nga ta dhe do të përfshihen në planifikim të buxhetit”, ka thënë Maliqi.

Sipas tij, buxheti për 2019 në bazë të kufijve përfundimtar është rreth 25 milion e 510 mijë euro. Pjesën më të madhe e marrin pagat dhe mëditjet, mbi 60 për qind, pastaj mallrat dhe shërbimet, subvencionet dhe investimet kapitale.

Sa i përket subvencioneve për vitin 2019, Maliqi tha se janë paraparë 609 mijë eurove që janë planifikuara, një pjesë e madhe e tyre në bujqësi, pastaj në kulturë rini e sport, në shëndetësi dhe në arsim (bursat).

“Investimet kapitale janë planifikuar të jenë rreth 5 milion e 82 mijë euro, që do të thotë që të gjitha kërkesat që janë bërë në dëgjimet publike dhe të tjera është e pamundur të mbulohen krejt me këtë buxhet, por falë angazhimit të kreut të komunës, janë siguruar buxhet edhe nga ministritë e linjave përkatëse”, ka thënë tutje drejtori Maliqi, për të shtuar se e kanë ndarë buxhetin nëpër drejtori përkatëse, pjesa më e madhe për investimeve kapitale janë ndarë te Drejtoria e Shërbimeve Publike, pastaj në Drejtorinë e Zhvillimit Ekonomik, Arsim dhe të tjera.

Avdyl Aliu, panelisti tjetër, pjesë e këtij procesi të tubimeve publike për buxhet për 2019, ka thënë se gjatë këtij procesi ishin të kënaqur me punën në terren, si për nga interesimi dhe pjesëmarrja në këto takime. Ai tha se Komuna e Gjilanit me dëgjimet buxhetore ka filluar që prej vitit 2014 dhe tani është bërë kjo traditë. “Në 2014 ishin 3 tubime të tilla, tani janë 10, pra tubimet kanë shkuar duke u rritur. Jemi munduar që të preken gjitha lokalitetet me organizim të këtyre takimeve si tani Llashtica, Zhegra me fshatra përreth, Cërnica me rrethinë, Livoqi i Ultë, Dheu i Bardhë, lagje në qytet, Pogragjë me rrethinë, Kmetoci me Vërbicë, Dobërçani, pastaj debate me komunitete.

Aliu tha se i kanë marr dhe regjistruar kërkesat dhe nevojat, jemi në shqyrtim të atyre kërkesave, për të parë se çfarë mund të futen në implementim në vitin e ardhshëm. Ai ka vlerësuar Këshillat e fshatrave që kanë punuar dhe edhe i kanë prezantuar edhe më parë shumë prej kërkesave. “Ne si komunë i pranojmë këto kërkesa dhe e kemi raportin ku i kemi kërkesat dhe prioritetet për secilin lokalitet. Do të shohim mundësitë buxhetore për të parë sa si dhe kur mund të realizohen ato”, ka thënë Aliu.

Nga ana tjetër, Rexhep Ajvazi, përfaqësues i fshatrave Gadish, Kishnapol dhe Sllakovc tha se janë të anashkaluar si lokalitet, komuna për katër vitet e kaluara dhe edhe këtë një vit e gjysmë, nuk e ka treguar asnjë interesim. Aty mungojnë gjithçka, rrugët lokale pothuajse janë krejt të shkatërruara, tha ai.

“Në kërkesat tona nuk kthehen përgjigje fare, ose kthehen se nuk ka mjete. A jemi edhe ne të barabartë me pjesët tjera të komunës. Vetëm në fushata partitë politike, pa dallim, interesohen për këtë pjesë”, thotë ai.

Mustafë Jashari, IQZH – Zhegër, – po bëhen dëgjime publike për kërkesa të reja, a kanë mbetur kërkesat e viteve të kaluara pa u realizuara. Nga ajo që thuhet nga pushtetarët duket se qenka parajsë, por IQZH ka bërë kërkesa edhe vitin e kaluar, kërkesa prioritare me interes të përgjithshëm por disa prje tyre sikur janë harruar.

Ai ka përmendur një listë prej 10 kërkesave prioritare që iu kishin bërë komunës në të kaluarën dhe tha se vetëm dy pjesërisht janë realizuar. Ai ka përmendur shkollën e mesme të Zhegrës që akoma nuk ka kanalizim dhe ujë përkundër kërkesës së kamotshme. Mustafa tha se është irrituar me deklarata e zyrtarëve komunal nga dëgjimi buxhetor që kanë thënë se shumica e kërkesa të mëhershme janë realizuar. Ai po ashtu pati vërejtjet edhe se kur diçka realizohet nuk po bëhet mirë dhe nuk ka kontroll si realizohen ato projekte.

Ekrem Asllani, nga Llashtica ka falënderuar kreun e komunës dhe udhëheqësin për projektet e realizuara në Llashticë duke u shprehur kështu i kënaqur.

Ramiz Isufi, nga Uglari kryetari i Këshillit të fshatit, duke iu referuar mungesës së investimeve tha se Komuna e Gjilanit, si duket as nuk e di ku i bije Uglari. Sipas tij, as në mandatin e kaluar katërvjeçar e as tani, në këtë një vit e gjysmë, nuk ka pas investime as edhe asnjë “gram”. Isufi tha se kjo është krejt me prapavijë krejtësisht politike.

Sipas tij, mbi 90 për qind të zyrave të Bashkësisë Lokale nuk funksionojnë po janë të mbyllura, pasi nuk e gjen askënd në zyre. Komuna ka dërgue inventar ka bërë renovime por harxhime të tilla ishin koti sepse nuk kanë mundur ti fusin në funksionon.

Ai tha se kryetarët e bashkësisë lokale vazhdojmë të punojnë edhe pse komuna nuk i ka shpërblyer asnjëherë dhe beson se kjo as që do të ndodhë ndonjëherë. Sipa Isufit, deri sa këshilltari komunal paguhet, kryetarët e bashkësisë lokale janë më të angazhuar se ta sepse kanë vullnet për të punuar për qytetarë, por janë të injoruar.

“Uglari nuk përmendet për arsye politike dhe kjo nuk është mirë, projektet që bëhen duhet të balancohen nëpër terren. E jo diku të koncentrohen projektet dhe diku të mos ketë fare realizim të tyre. Kështu siç po ndodh, po shihet se nuk po trajtohen qytetarët barabarsisht, ka thënë Isufi.

Sipas tij, Komuna nuk është interesua as që të ndërtohet një ambulantë, pastaj për shtratin e lumit nuk është bërë asgjë, mungojnë trotuaret e shumë çka tjetër. “Nuk jam i kënaqur asnjë pikë me trajtimin e Uglarit nga pushteti komunal. Asnjë cent nuk investohet në Uglar”, shprehu mllefin e tij, Ramiz Isufi nga ky fshat.

Ruzhdi Selimi nga Nasala, tha se me qeverisjen e Lutif Hazirit janë bërë disa projekte në këtë fshat, por kemi edhe prioritet të rëndësishme si ujësjellësin që nuk është funksional. Kemi premtime se do të bëhet ujësjellësi. Po ashtu nuk kemi rrugë lokale të shtruara. Rrugët po dëmtohen sepse nuk po ka mirëmbajte të rrugëve. Kemi probleme edhe me kanalizime. Po ashtu edhe për transport publik kemi nevojë.

Islam Rashiti nga Vërbicë e Zhegocit dhe Zhegoci, ka thënë se mungon realizimi i projekteve për këtë Malësi. “Asnjë metër asfalt nuk është shtruar në këtë anë. Shihet se ka diskriminim të kësaj pjesë kur bëhet planifikimi buxhetor nga Komuna”, ka thënë ai.

Avdulla Demiri tha se Haxhaj dhe Demiraj janë të kënaqur në një masë me disa projekte për këtë pjesë, por nuk janë të kënaqur me bashkëpunimin e komunës me këshillin e fshatit që nuk ka pasur komunikim të mirë. Si rezultat i kësaj mungese të komunikimit, disa projekte nuk janë bërë si duhet, nuk janë kryer mirë. Po ashtu ka prioritetet të rëndësishme si nevoja për trotuare, por edhe përfundimi i shkollës që nuk po kryhet akoma. Po ashtu as projekti i ujësjellësit nuk është vazhduar. Kemi kërkesa të shumta por si duket shumë projekte ndalen vetëm në Zhegër, ka thënë ai.

Shemsedin Elezi, kryetar i Këshillit të Zhegrës tha se është punuar dhe se nuk duhet parë as krejt bardh e as krejt zi, dhe se vet ai është në mes, por tha se me të drejtë disa kolegë kanë edhe vërejtjet e tyre.

Demir Krasniqi, tha ndër tjerash se rreth lumit të Stanishorit duhet intervenuar me projekt por nuk përmendet mundësia as e zgjerimit e as rregullimit të saj. Aty rrezikohen edhe qytetarët.

Edhe Tefik Selimi, nga rruga e Kumanovës, Gjilan, tha se rruga në këtë pjesë është katastrofë, ndërsa edhe diskutuesit e tjerë, Shefket Bajrami nga fshati Çelik, Skender Ramadani, Livoq i Ultë, Afrim Hajdini nga Malisheva, Nazim Rrustemi nga Përlepnica e të tjerë, thanë se në lokalitetet e tyre ka nevojë për realizime të projekteve në të mirë t qytetarëve dhe se kërkesa ka të shumta që janë adresuar në adresë të komunës me shpresë se projektet e tilla edhe do të realizohen sa më parë.

KOMENTE