zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani ka takuar drejtorin e zyrës evropiane të Agjensionit Botëror të Anti-Dopingut, (WADA), Sébastien Gillot dhe Kryeshefin ekzekutiv të Organizatës Antid-Doping të Sllovenisë (SLOADO), Janko Dvoršak, të cilët ishin të shoqëruar nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, sekretari i përgjithshëm i KOK, Besim Aliti dhe koordinatorin e Agjensionit për Anti-Doping në Kosovë (KosADA), Bernard Tahirbegolli.
Ky ishte një takim shumë i rëndësishëm për të filluar hapat e parë që Agjensioni Anti-Doping në Kosovë të funksionoj në mënyrë të pavarur, ashtu siç parashihet edhe me kriteret ndërkombëtare.
Zëvendësministrja Osmani në këtë ngjarje ndër të tjera tha që dopingu është një ndër sfidat kryesore në sportin ndërkombëtar, prandaj është një temë që duhet të trajtohet me shumë prioritet edhe në vendin tonë “Kjo iniciativë është shumë e rëndësishme, ka pasur tentativa edhe më herët që të funksionalizohet cështja e anti-doping në Kosovë, por kësaj radhe jemi të përkushtuar që në fillim të vitit të ardhshëm të marrim masat e nevojshme për funksionalizimin e Agjensionit Anti-Doping në Kosovë”.
Ajo gjithashtu shtoi që funksionimi i mirë i këtij Agjensioni ndihmon sportistët kosovarë dhe sportin në përgjithësi.
Ndërsa drejtori i WADA, Sébastien Gillot u shpreh që në Kosovë deri tani është bërë progres, por duhet të vazhdohet me fazën e dytë “Ne jemi këtu për të ju përkrahur dhe mbështetur që të krijohet një organizatë e fortë dhe e qëndrushme anti-doping në Kosovë, prandaj ky takim është shumë i rëndësishëm” shtoi ai.
Për rëndësinë që kjo cështje të trajtohet me prioritet dhe të funksionalizohet dhe aktualizohet më shumë në vendin tonë u dakorduan të gjitha palët. /2LONLINE/