“Secili anëtar i kabinetit tim me të cilin kam pas kontakt ka rezultuar negativ. Gjithashtu, edhe qytetarë tjerë të Kamenicës. Kjo shfaqë kulturën e lartë të ekipit në raport me respektimin e masave, për ç’gjë jam shumë krenar”.
Kështu është shprehur, kreu i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, pas njoftimit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik se të gjitha mostrat e marra në Kamenicë e që ishin raste kontakti i Kryetarit Kastrati, kanë rezultuar negativ.
Kastrati ka shtuar se, që nga rastet e para të identifikuara me COVID-19 në Kosovë, ai i ka respektuar të gjitha masat e udhëzimet nga institucionet përkatëse.
“Të gjithë personat me të cilët kam pas kontakt gjatë këtyre ditëve kanë rezultuar negativ. Sepse: Asnjëherë nuk kam shtrënguar duart me askënd; Jam përkujdesur në dezinfektim të duarve gjatë gjithë kohës; Kam mbajtur distancë”, ka thënë Kastrati.
Ai ka kërkuar nga qytetarët që të vazhdojnë t’i ndjekin të gjitha udhëzimet sepse mund ta parandalojnë shpërndarjen e virusit SARS-CoV-2.
Përndryshe, në Komunën e Kamenicës është vetëm një rast aktiv ndërsa janë shëruar 41 persona.