/2L ONLINE/ – Sonte në Teatrin e Qytetit të Gjilanit është dhënë premiera e shfaqjes “Vdekja aksidentale e një anarkisti”, nga Dario Fo, me regji të Erson Zymberit, e cila sikur i dha pak jetë këtij institucioni, i cili ende nuk po mund të këndellet mirë nga problemet që e kanë përcjellë në vazhdimësi. por që së fundi përpjekjet janë serioze që gjërat të lëvizin për të mbarë.
Aktualisht Teatri është në pritje të emërimit të drejtorit dhe përkundër edhe disa probleme që u shfaqën së fundi, rreth mospagesës së aktorëve, pikërisht edhe si rezultat i mospasjes drejtor ky institucion, shfaqja megjithatë vazhdoi, u punua dhe u vë në skenë, para një publiku të etur për shfaqje, që dëshmoi se Teatri i Gjilanit, me gjithë vështirësitë, po e ruan traditën e një publiku të interesuar që e ka.
Ndonëse “Vdekja aksidentale e një anarkisti” ishte paraparë të bëhej gati për publikun gjilanas, ndoshta qysh në muajin shkurt, problemet e teatrit bënë që ajo të vije tek tani, në fund të korrikut, por e mira është se erdhi si një freski e këndshme dhe atë e sollën: regjisori Erson Zymberi, ndihmuar nga asistentja e regjisë Emine Toska, me aktorët: Ernest Zymberi, Alban Shahiqi, Avni Shkodra, Gani Rrahmani, Njomëza Kalaveshi dhe Tringa Hasani. Për skenografinë dhe kostumet është përkujdesur – Bekim Korça, muzika- Reshat Beqiri, Bujar Murtezi dhe Bashkim Kërqeli, dizajni i ndriçimit- Fatmir Halili, inspicient & organizator- Raif Haziri, rekuizitat -Suad Berisha, realizatorë të skenografisë -Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti.
Përndryshe, “Vdekja aksidentale e një anarkisti” është një farsë komike e cila trajtoi çështjet e sistemit juridik, përfshirjen e policisë, korrupsionin, sistemit gjyqësor, dosjeve, akuzimeve, vrasjeve dhe çështje të tjera të një shoqërie dhe e cila nuk do mend se mund të lidhet edhe me aktualitetin në Kosovë. Në fakt, shfaqja në thelb të saj kishte pikërisht filozofinë e keqfunksionimit të një sistemi që duhej të jetë i drejtë për qytetarët.
Ndonëse për temë kishte një çështje serioze, kjo shfaqje para publikut gjilanas erdhi mjaftë zbavitëse, sidomos pjesa e dytë e shfaqjes ishte në element ku u veçua loja e aktorëve. Ngjarja pasqyrohej në një stacioni policor, ndërsa karakteri kryesor është një i çmendur i cili do të hulumtojë incidentin në të cilin një anarkist bie nga dritarja e katit të katërt të stacionit policor ku është marrë në pyetje dhe kështu zbulon idiotësinë dhe gënjeshtrat e zyrtarëve policor, komisarit dhe kuestorit. Aty ishte edhe gazetarja, që po ashtu bëri që “ të palarat”e zyrtarëve policorë, të dalin në shesh, dhe pjesë e shfaqjes ishte edhe policja si dhe komisari tjetër, që ishte marr me të çmendurin.
Siç ka thënë edhe vet regjisori i shfaqjes , “Vdekja aksidentale e një anarkisti” , në shtjellimin e saj konceptual dhe artistik, prekë dhe njëkohësisht tenton t’u përgjigjet trajtimit të problemeve aktuale të ligjit, korrupsionit, sistemit gjyqësor, dosjeve, akuzimeve, vrasjeve, etj. Gjaku dhe duart e pushtetit fshihen pas ngjyrës së çiltër – asaj të bardhës dhe pas humbjes së fijes në lëmshin e krijuar. Siç, edhe e thotë, njëri nga personazhet, në fund të shfaqjes: “Populli ynë është i mbushur me mut deri në grykë, prandaj edhe ec me kokën lart”!
Përndryshe, muzika ishte ajo që e pasuroi këtë shfaqje, por që për një pjesë të publikut nuk u pa e qëlluar fakti që për një ngjarje në një ambient italian, u shoqërua nga muzika angleze, sikurse që u pa shumë pasiv, përkatësish roli statik i policës, që për shumë kë, edhe po të mos ishte pjesë e shfaqjes nuk do të prishte punë. Sidoqoftë publikut, në përgjithësi u nda i kënaqur me shfaqjen dhe pritet që ajo të zgjoi interesim të madh edhe në reprizat që parashihen të jepen po në Teatrin e Gjilanit, për ata që nuk patën mundësi të ishin sonte pjesë e premierës. /2L ONLINE/