Shkruan: Riad Rashiti
(2L ONLINE) – Krijimi i institucioneve të reja të Republikës së Kosovës nga koalicioni PDK-LDK edhe një herë e dëshmoi se në përbërjen e qeverisë, mund të jenë vetëm “të merituarit” e subjekteve politike dhe që kanë frekuenca të njëjta me liderin e partisë së tyre, ose që janë pjesë e klanit më të fuqishëm brenda atij subjekti politik.
Ministrat e emëruar në qeverinë e Isa Mustafës dhe të Kryeministrit Hashim Thaçi, nuk janë rezultat i vlerave dhe kontributeve të tyre në subjektet prej nga vijnë ata, nuk përfaqësojnë as fuqi të votës elektorale dhe nuk bartin as përfaqësim të prejardhjes së tyre rajonale.
Deri më tani, shumë herë qeveritë e Republikës së Kosovës, janë cilësuar me epitete të ndryshme, si qeveria e Llapit, e Dukagjinit, e Drenicës, por që asnjëherë si regjion i Anamoravës nuk ka qenë i trajtuar meritueshëm. Dhe qytetarët e regjionit të Gjilanit në vazhdimësi janë ndier si jetim të shtetit të Kosovës, nga sjellja e dëmshme e liderëve politik të vendit ndaj Gjilanit, të cilët i akuzojnë ata se qëllimisht po na anashkalojnë dhe po na shkelin në çdo aspekt, si në përfaqësim politik në qeverinë e Kosovës, si në aspektin e investimeve dhe në çdo fushë tjetër.
Anamorava është bërë si e ashtuquajtura Republika e Bananes, e cila nënkupton një vend të vogël e që udhëhiqet nga një klasë politike servile ndaj të huajve, kurse e dëmshme ndaj qytetarëve të saj. Shprehja Republika e Bananes përdoret shpesh për vendet e vogla në Amerikën Latine ose të Karaibeve, me situatë politike jo të qëndrueshme, që varet vetëm nga një sektor i vetëm agrikulturor dhe e qeverisur nga një oligarki e pasur dhe e korruptuar.
LDK në Gjilan po vazhdon me avazin e vjetër të qeverisjes me komunën, e cila për shumë kohë e ka dëshmuar se qytetarëve të Gjilanit i ka sjellë vetëm dëme dhe asnjë të mirë.
Në realitet, Gjilani më së mirë ka qenë i përfaqësuar në qeverisjen e LDK-së (2000-2007 dhe 2014…), me nga 3-4 ministra dhe zëvendës Kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës, por qytetari i komunës ka qenë më së keqi i trajtuar, si në aspektin e investimeve, infrastrukturës, kulturës, sportit, bujqësisë etj. Në qeverisjen e LDK-së kur Gjilani kishte Lutfi Hazirin zv.Kryeministër, investimet nga grantet në Gjilan kanë qenë në total vetëm 276 mijë euro në vitin 2007, ndërsa në qeverisjen PDK-së në vitin 2013 ishin mbi 6.3 milion euro apo 23 herë më mëdha se sa në qeverisjen e LDK-së.
Pra kjo tregon më së miri problemi ynë si Anamoravë, nuk qëndron askund tjetër pos tek ne si Gjilanas, të cilët bëjmë luftë klanesh dhe eliminimesh politike ndaj njëri tjetër, kjo po ndodhë në secilin subjekt politik të Gjilanit, me qëllim të monopolizimit dhe kontrollit nga secili në partinë e tij. Asnjëherë nuk ka qenë Gjilanasi për Gjilanin, ashtu siç sot por thirret kryetari aktual i komunës. I cili edhe gjatë vitit 2014 në qeverisjen e tij me komunën, e dëshmoi se atij nuk i intereson aspak qytetari i Gjilanit por vetëm interesi i tij personal ekonomik dhe politik.
Emërimi aktual i ministrit të Shëndetësisë që vjen nga Gjilani, është i mirëseardhur por duhet të analizohet mirë se pse dhe si u emërua Imet Rrahmani ministër i këtij sektori jashtëzakonisht problematik dhe i ndjeshëm. Aspak dhe askush nuk do të dëshironte që fati i tij të jetë sikurse fati i ministrit të vetëm të PDK-së që ishte nga Gjilani për këto shtatë vite dhe i cili ishte shkarkuar në vitin 2010, duke ia lënë atij “këmbët e Arushës” n’dorë. Sepse shëndetësia në Kosovë është në gjendje të mjerueshme dhe nuk mund të ketë asnjë indikacion se ministri aktual nga Gjilani mund të arrijë sukseset e dëshiruara.
LDK në Gjilan kishte kuadro më të dëshmuara dhe me më përvojë për të udhëhequr këtë ministri apo ndonjë ministri tjetër, por në këtë rast si pasojë e luftës së klaneve brenda kësaj partie, Lutfi Haziri nuk ka kërkuar dhe nuk ka dërguar ndonjë ministër meritor dhe në ndonjë sektor tjetër ku Anamoravës dhe Gjilanit do ti kthehej shpresa dhe të ndihej i barabartë si çdo qytetar tjetër i Kosovës. Sepse në zgjedhjet e kaluara qytetarët e Gjilanit i dhanë shumë besim dhe votë LDK-së.
Poashtu edhe PDK për shtatë vite të qeverisjes me Kosovën, Gjilanin e ka trajtuar jashtëzakonisht dobët në aspektin e përfaqësimit politik në qeverinë e Republikës së Kosovës, ndërsa në aspektin e investimeve nuk ka qenë edhe aq shumë keq, sidomos nëse e krahasojmë me qeverinë e LDK-së. Gjatë kësaj periudhe kishte vetëm një gjysmë ministri, i cili ishte shkarkuar në gjysmë të mandatit të parë kur ishte bërë ri-formatizimi i qeverisë në vitin 2010. Poashtu, nëpër institucionet tjera të rëndësishme të Kosovës, kuadrot e Gjilanit kanë qenë plotësisht të anashkaluar gjatë qeverisjes së PDK-së. Nuk kishte pozita udhëheqëse brenda ministrive, nëpër agjensione të ndryshme, nëpër borde të ndryshme dhe askund tjetër. Bile edhe me institucionet e Gjilanit që janë nën menaxhimin e qeverisë, udhëheqin kuadro të jashtme, kjo është e patolerueshme sepse këtë e kanë bërë vetë disa nga udhëheqësit dhe (ish) deputetët e PDK-së në Gjilan.
Fatkeqësisht, këtë anashkalim të plotë të Gjilanit, shumica e elektoratit e vlerëson dhe i fajëson pa të drejtë dhe plotësisht individët e caktuar brenda PDK-së në qendër. Por kjo nuk qëndron krejt ashtu, sepse ata të cilët kanë qenë dhe janë në rrjedha të zhvillimeve politike brenda PDK-së dhe e analizojnë mirë gjendjen e tanishme dhe të kaluar të degës së PDK-së në Gjilan, atëherë problemi ekziston diku tjetër, pra tek ne si Gjilanas. Ku lufta e madhe brenda klaneve të partisë në degë, për interesa të ngushta personale dhe grupeve të caktuara, ka rrënuar të gjitha të arriturat dhe sukseset që janë bërë për shumë vite, me qëllim të marrjes së kontrollit të degës dhe pastaj të komunës. Edhe normalisht që sot nga PDK në Gjilan, nuk ka asnjë pozitë ministrore dhe sigurisht me këtë qasje dhe gjendje të degës së PDK-së, kohë të gjatë do të kemi këtë trajtim të njëjtë nga qendra, sepse nuk e meritojmë aspak ndryshe.
Pra politika në Gjilan,i në vazhdimësi është marrur me vetveten dhe kundër njëri tjetrit deri në eliminimin politik të individëve të caktuar, nga frika e fuqizimit të tyre. Kjo luftë e madhe politike ka ndodhur në mes dy subjekteve politike LDK-LDD, brenda vet PDK-së, pastaj në AKR e kështu me radhë deri te VV. Pra udhëheqësit e subjekteve politike të Gjilanit i kanë harruar qëllimet dhe interesat e mëdha të qytetarëve të Gjilanit, ndërsa në anën tjetër bëjnë gjithçka në interes të tyre, duke u bërë edhe servil liderëve politik vetëm e vetëm që të ruajnë pozicionet e tyre dhe interesat që i kanë prioritet të prioriteteve.
Për Anamoravën dhe Gjilanin nuk ka për të humbur edhe më shumë kohë tutje, por duhet kërkuar përgjegjësi politike, intelektuale dhe institucionale. Përndryshe së shpejti duhet kërkuar mbështetje jashtë klasës politike të Gjilanit dhe të Kosovës, sepse qytetarët e kësaj pjese të Kosovës kanë humbur besimin në të gjithë, pa përjashtim. /2L ONLINE/
autori është anëtar i Kuvendit Komunal dhe anëtar i Kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan