Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 22 Prillit Ditës së Tokës, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), gjatë kësaj jave ka realizuar vizita nëpër disa Shkolla të Mesme të Ulëta nëpër Komunat e Kosovës.
Gjatë këtyre aktiviteteve janë vizituar dhjetëra Shkolla të Mesme të Ulëta në komunat: Klinë, Pejë, Graçanicë, Vushtrri, Ferizaj, Kaçanik, Gjilan, Prishtinë dhe Fushë Kosovë.
Qëllimi i këtyre aktiviteteve ishte shpërndarja e materialeve promovuese, mbajtja e ligjëratave dhe punëtorive me nxënës me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit për mbrojtjen e mjedisit.
Aktivitetet e AMMK janë mirëpritur nga shkollat dhe kanë zgjuar interesim tek nxënësit të cilët njëkohësisht kanë planifikuar dhe realizuar aktivitete tjera për të shënuar 22 Prillin Ditën e Tokës.
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj për ndërgjegjësimin dhe edukimin mjedisor në të ardhmen edhe në shkolla tjera me aktivitete të ndryshme. /2LONLINE/