Prend BUZHALA
AMËZAT POETIKE TË POEZISË MODERNE BOTËRORE
(Ramadan Musliu: “Fjalët lindën dritën e yjeve” (Panoramë e poezisë moderne botërore”), ShB. “Beqir Musliu”, Gjilan, 2022)
Kur poeti dhe kritiku letrar Ramadan Musliu, përdor përkufizimin referencial në titull “Panoramë e poezisë moderne të botës”, atëherë kësisoj ai na i ofron disa shënjues: panoramën, si tip të një pamjeje të gjerë, gjithëpërfshirëse, një përmbajtje sadopak e plotë të poezisë moderne, si dhe termin poezi moderne, që e ka shkoqitur redaktori i librit Anton N. Berisha me kompetencën e njohurive të gjithanshme për poezinë bashkëkohore. Vërtet ka pa botime të antologjive të poetëve të një letërsie, siç janë ato për letërsinë frënge, angleze, gjermane, iraniane, apo greke, romake, sllovene, kroate, spanjolle, italiane, amerikane, etj. etj. apo antologji tematike siç janë ato për lirikën e dashurisë, apo të poezisë luftarake të muzave të luftës etj.
Ç ‘është e vërteta, në letërsinë tonë ende nuk kemi pasur një botim të tillë kaq të plotë të poezisë moderne. Pothuajse shumica e poetëve nga letërsitë evropiane janë të përfaqësuar në këtë panoramë. Madje, R. Musliu ngurron ta quajë antologji, i ndërgjegjshëm se përzgjedhja është një tjetër akt krijues e intelektual, akt i përzgjedhjes me vlera të qëndrueshme artistike. Zaten, edhe poetët e përkthyer e të prezantuar te kjo panoramë, janë emra që u përkasin majave të letërsisë botërore. Dhe përfaqësimi i autorëve te kjo panoramë është, pse jo, edhe antologjik, por ky përfaqësim përzgjedhës iu takon edhe disa përkatësive: i asaj nacionale në radhë të parë, i përkatësisë apo kreut të një epoke letrare siç janë realizimi, modernizmi apo postmoderna, i një periudhe, rryme a prirjeje letrare, siç janë surrealizmi, dadaizmi, simbolizmi, hermetizmi, avangardizmi, parnasizmi, ekspresionizmi, futurizmi, imazhinizmi, apo prirjet e qëndrimit kritik, atij social, lirikës konkrete, objektiviste, etj. etj. Një shënjues tjetër i përkatësisë së këtyre krijuesve, është edhe i përkthimit të tyre në dhjetëra gjuhë botërore.
1. Shumësia e kompleksiteti i poetikave të artit modern poetik
Ndër këta 69 poetë, janë dhjetëra sish që janë botuar e prezantuar shqip me vëllime të veçanta nga përkthyes e botues shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e gjetiu, gjatë gjithë gjysmës së dytë të shek. XX dhe gjatë këtyre dy dekadave të shek. XXI. Kësaj radhe, ndër këta 69 autorë, le t’i përmendim shumë ndër ta që kanë libra poetikë të përkthyer shqip, por që autori nuk i përmend përkthimet e tyre, siç janë: Ezra Pound, Fernando Pessoa, Thomas Stearns Eliot, Giuseppe Ungaretti, Paul Eluard, Andre Breton, Eugenio Montale, Horhe Luis Borhes, Jacques Prevert, Leopold Sedar Senghor, Odysseas Elytis, Octavio Paz, Charles Bukowski, Tadeusz Rozewicz, Vasko Popa, Wisfawa Szymborska Zbigniew Herbert, Yehuda Amichai, Allen Ginsberg, Slavko Mihalic, Hans Magnus Enzensberger, Ted Hughes, Tomas Transtromer, Sylvia Plath, Nichita Stanescu, Andrei Voznesensky, Marin Sorescu, Seamus Heaney etj. Emrat e këtyre krijuesve të njohur, ashtu sikundër edhe të atyre të tjerëve, lexuesi ynë ka pasur rastin të lexojë krijimet e tyre kryesisht gjatë viteve ’70 e +80, nëpër faqet e shtypit apo edhe në forma t tjera të prezantimit. E pra, është një laryshi dhe shumësi e jashtëzakonshme poetike e poezisë botërore, e paraqitur për herë të parë në shqip, në tërë komlpeksitetin e saj estetik dhe artistik. Mirëpo, kur Ramadan Musliu na i sjell brenda një vëllimi gjithë këta autorë, atëherë gjithsesi që lexuesi do ta ketë më të plotë këtë pamje për zhvillimet e rrjedhat e poezisë moderne botërore. E quan poezi botërore, gjithsesi për faktin e ndikimit në letërsitë tjera që kanë pasur këto rrjedha, rryma e prije letrare dhe këta poetë, nga njëra anë, si dhe për faktin që këtu prezantohen edhe poetë nga India, Kina, Afrika, nga SHBA apo Amerika Latine.
Këtë mbarështrim na e jep edhe autori nëpërmes teksteve prezantuese për autorët e ku, përpos biografisë së shkurtër jetësore e krijuese të tyre, përfshihen edhe karakterizime të tjera të prirjeve a përkatësive letrare. Nuk është e habitshme përse te poezia e moderne mbizotërojnë poetët francezë të shek. XX, të cilët, shumë ndër ta, ishin edhe themelues rrymash e prirjesh letrare. Të gjitha këto rryma, periudha e prirje letrare, u paraqiten si reagim ndaj drejtimeve tradicionale në letërsi deri në shek. XIX, siç ishin klasicizmi, romantizmi, realizmi apo natyralizmi.
Kështu, kur e nis panoramën e tij me Guillaume Apollinaire-in, poet francez, autori e jep edhe shënimin se ai ishte “poet që në jetën e tij të shkurtër mori pjesë në të gjitha lëvizjet avangarde të kohës, në qarqet letrare dhe artistike franceze në fillim të shekullit 20-të dhe që ndihmoi drejtimin e poezisë në kanale të pashpjeguara.” Që në fillim lexojmë poezinë e njohur të këtij poeti “Ura Mirabo”, të cilës në shqip i janë bërë edhe përkthime tjera si nga Mensur Raifi, Muhamet Kërveshi si dhe të ndonjë përkthyesi nga Shqipëria. Së këndejmi, të gjithë poetët janë përzgjedhje e vetë autori, ashtu sikundër edhe të gjitha poezitë janë përkthime e rikëndime nga vetë Ramadan Musliu. Zaten, vetë nocioni panoramë, ndër të tjera e sugjeron këndvështrimin personal të një pamjeje. Mirëpo, autori ka shkuar më tutje këtij këndvështrimi vetjak. Janë autorë, që lexuesi ynë i ka hasur që më parë. Ose te poeti gjerman Gottfried Benn (1886 – 1956) spikat prirjen e tij ekspresioniste, një rrymë letrare që kishte ndikim në gjithë letërsitë evropiane. Te poeti tjetër në vazhdim, William Carlos Williams (1883 – 1962) nga SH.B.A, jep këtë shënim karakterizues:
“Në fillim të karrierës së tij, për pak kohë u përfshi në lëvizjen imagiste përmes miqësisë së tij me Pound, por së shpejti filloi të zhvillojë mendime që ndryshonin nga të tyret dhe stili i tij ndryshoi për të shprehur.”
Duke i përkthyer në cikël të tërë poezish nga ky autor, lexojmë poezinë “PËRSOSMËRI”, në të cilën prirjet e imazhinizmit vijnë përmes mbresave shqisore të pamjeve të realitetit:
O mollë e mrekullueshme!
e bukur dhe tërësisht
e kalbur,
me profil mezi të formuar –
ndoshta pak
u rrudhosur në maje, por përveç
kësaj e përsosur
në çdo detaj! Oh e mrekullueshme
mollë! çfarë
ngjyre e kaftë e errët
përshkon sipërfaqen
tënde të pakorruptuar.
Askush nuk të lëvizi
qysh kur të vura në gardh
të verandës para një muaji
që të piqesh.
Askush. Ama askush!
Për autorët e kësaj prirje letrare, dihet që ishte një “rebelim kundër gjuhës abstrakte, simbolikës komplekse, grumbullimit të mjeteve poetike dhe strukturat e pakonsoliduara artistike”. Ose, kur përkthen Giuseppe Ungaretti, poet italian, ai e karakterizon atë si poet të rrymës së hermetizmit. Një rrymë kjo gjerësisht e përhapur te jo pak poetë edhe në Kosovë gjatë viteve ‘70 e ’80.
Zaten, gjithë kjo shumësi përvojash poetike, kjo larmi e diversiteteve poetike, dhe ky kompkeksitet poetikash e praktikash krijuese, gjithsesi që është një ndihmesë e madhe për ta kundruar jo vetëm këtë panoramë kaq të gjerë të poezisë moderne botërore, por edhe lidhjet, ndikimet e ndërveprimet që kanë këta poetë e këto letërsi edhe në letërsinë tonë.
2. Në gjedhet e poezisë moderne
Në këtë mënyrë, do të thoshim se të gjithë këta poetë, me prirjet e tilla do të sintetizohen në dy gjedhe apo dy lektyra të poezisë moderne: në lektyrën bodleriane e në lektyrën brehtiane, d.m.th. që mbështeten në gjedhet a modelet poetike të Bodlerit e Bertold Brehtit, ani se këta dy poetë nuk hyjnë te kjo panoramë. Te lektyra e parë, pra, do të hyjnë të gjitha ato rryma e prirje të poezisë moderne siç i sintetizon edhe studiuesi Anton N. Berisha: si “botë e ndërliqshme shprehëse poetike”, si poezi që mbështetet në imagjinatën krijuese “për përftimin e poezisë”, poezi që “e dëshmon qenësinë e saj shprehëse poetike, komunikimin dhe ndikimin estetik në marrësin, pa marrë parasysh hapësirën dhe kulturën që marrësi (lexuesi) i përket”, e ky hyjnë edhe gjuha poetike që përdorin, shumësia e mesazheve dhe shumësia kuptimore. Te lektyra brehtiane ky komunikim poetik është i drejtpërdrejtë, e ku përzgjedhësi dhe përkthyesi Ramadan Musliu i fut poetët Ezhen Gijvik, Charles Bukowski apo Anne Sexton (1928 – 1974) – SH.B.A. Kësaj drejtpërdrejtshmërie i përkasin sidomos poetët amerikanë që nga Volt Uitmani e këndej, apo poetët me prirje të majta, gjithnjë sipas parimit brehtian, ku krijuesit janë të pajisur guximin krijues për të shkruar për të vërtetën, me himnet e saj tragjike, pikërisht kur atë të vërtetë e mbysin në të gjitha anët. Janë ajo dorë krijuesish që mbajnë qëndrim kritik ndaj realitetit, siç është, bie fjala, ALLEN GINSBERG (1926 = 1997) – SH.B.A., për të ciln Musliu jepp shënimin : “Ginsburg u bë një nga figurat kryesore të lëvizjes anti-luftë. Poema e tij Scream, e cila është pjesë e koleksionit Scream dhe një poezi tjetër e botuar në vitin 1956, paraqet një thirrje të fortë për lirinë që mbronin përgjithësisht beatnikët. Gjithashtu, poema flet për imperializmin amerikan dhe kritikon shoqërinë e konsumit.”
Kjo vazhdë të shpie deri te postmodernsitët që e ironifikojnë dhe dekokonstruktojnë vetë realitetin, meqë autori përmend në hyrje edhe nocionin postmodernë. Ja si e thotë vetë Musliu në mëynrë figurative: “Nëse letërsia ruse dilte nga veshja e Gogolit dhe modernizmi nga kapela e Joyce-it, postmodernizmi doli nga shkopi i Borges-it.”
3. Në burimet e përjetshme të vlerave poetike
Ndërkaq, këtu hyjnë edhe poetë të mëdhenj që i përkasin një letërsie nacionale, jo vetëm si krijues po edhe si “hero kombëtar”, si jepen shënime, bie fjala, për poetin portugez Fernando Pessoa, i cili “njihet si një nga poetët më të mëdhenj evropianë të modernizmit”. Ja një poezi e tij, në përkthimin e bukur të R. Musliut:
NUK E DI SA SHPIRTRA I KAM
Nuk e di sa shpirta i kam.
Ndryshoj në çdo çast.
Vazhdimisht më ndjekin.
Kurrë s’ e gjeta veten as besova në vetvete.
Një shpirt kam vetëm.
Kush ka shpirt s’ka paqe.
(…)
Çdo ëndërr e imja dhe dëshira ime
është ajo që lind dhe nuk është e imja.
Unë jam një fotografi e vetvetes.
në udhën time shërbej,
të ndryshmit, të paqëndrueshmit, të vetmuarit.
Nuk mund ta ndiej se ku jam.
Për shkak të kësaj, do të lexoj i çmendur
qenien time, si faqet.
Ajo që vijon nuk është e paraparë
ajo që ka kaluar është harruar,
shënoj venerimet e asaj që lexova
atë që gjykova dhe ndjeva.
Lexoj përsëri dhe them: “Pse ai qenkam unë?”
Te secili poet gjemë vargje që shqiptojnë shqetësimet e dilemat personale dhe të kohës në të cilën jetuan. Tekstet e zhvillojnë “dialogun” e ndërmjetvetshëm, si te palimpsestet antike; ato nuk pushojnë së ekzistuari në raporte intertekstualiteti (Eliot), kurse kontekstet e situatave ekzistenciale dhe të atyre kombëtare do të korrespondojnë me “situatat poetike” të këtyre krijuesve. Amëzat poetike të përvojës së këtyre poetëve, nga njëra anë, si dhe lirizmi i tyre përfaqësues, refleksiv, figurativ, intim, tematizues dhe metaforizues, zëri lirik, Uni i tyre poetik, me një fjalë, bota tyre e pasur poetike, e kanë shtyrë Ramadan Musliun që t’i sjellë në tryezën e leximit gjithë këta krijues vlerash të epërme artistike.
Dikur Aristoteli i urtë shkruante për katarsisin, për ndikimin e fjalës artistike në ndjenjat dhe në psikikën e njeriut, për një si spastrim të posaçëm të emocioneve që provokon a nxit tragjedia. Edhe fjala artistike e poezisë lirike, përbën një moment tejet të rëndësishëm të identifikimit emocional, që ndikon pozitivisht në këtë drejtim. Së këndejmi, kështu le ta kuptojmë edhe këtë dëshirë të zjarrtë të poetëve për ta shquar sa më shumë nevojën e shkrimit si transformim të brendshëm shpirtëror, për ta mbajtur në këmbë duke e pasuruar shpirtërisht qenien njerëzore, qoftë edhe si ngushëllim fjalësh të bukura, kundruall situatave të ethshme psiko-sociale.
Edhe ky vëllim, me rëndësi të veçantë për kulturën tonë përgjithësisht, me larminë e saj tematike, ideore e tipologjike, i ngjet një simfonie me tone e paleta të shumta figurative. Ndërkaq, poezia është vetëm një mundësi e (për)jetimit jetësor; është zbulim i misionit krijues dhe i mundësive krijuese të njeriut. Ashtu siç do të thoshte Gëte: ”Teoritë, o mik, janë të thata, kurse vetëm druri i jetës është i blertë Pothuajse të gjithë këta krijues kanë qenë të ndërgjegjshëm se jeta është burim për çdo formë të krijimtarisë; jeta ka dinjitetin e saj, edhe kur përjetohet shumëfish apo në shumë rrjedha të saj: si trajtë e rezistencës përballë apokalipsit, si dilemë apo ëndërr, si dhembje për humbjen e të dashurve apo si mall për vendlindjen, për dashurinë, për fëmijërinë apo për rininë, si ironi e fatit apo si korrespondencë shpirtërore me poetët.
Shkrimtari dhe kritiku letrar anglez Gilbert Keith Chesterton, do të thoshte: “Ajo që bota dëshiron, ajo që bota pret, nuk është Poezia Moderne apo Poezia Klasike apo Poezia Neo-Klasike – por Poezia e Mirë. Dhe dyshimi i tmerrshëm i pavlerë, që ngjallet në mendjen time skeptike, është dyshimi nëse do të kishte vërtet shumë rëndësi se në çfarë stili një poet zgjodhi të shkruante, në çdo periudhë, për aq kohë sa ai shkruante poezi të mira.” Të amshueshme, pra, janë vlerat artistike.
E Ramadan Musliu qëndron mu në burimet e përjetshme të këtyre vlerave.
Nëntor 2022
________________
( E lexuar më 5 në nëntor 2022 në edicionin e 13-të të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, mbajtur në Bibliotekën e qytetit, me rastin e përurimit të panoramës së poezisë moderne botërore FJALËT LINDËN DRITËN E YJEVE, që u përzgjodh dhe u përkthye nga shkrimtari tashmë i ndjerë, Ramadan Musliu )