Instituti Ndërkombëtar i Paqes në Stokholm e ka publikuar një raport, sipas të cilit dallimi mes Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës për sasinë e armëve të eksportuara është zmadhuar dukshëm në pesë vjetët e fundit.
Sipas këtij instituti, armët e eksportuara nga SHBA-ja përbëjnë 36 për qind të të gjitha armëve të shitura, ndërsa në pesëvjeçarin e kaluar kjo shifër ishte 30 për qind.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përforcuar edhe më shumë pozitën si furnizuesi më i madh me armë në botë. SHBA-ja ka eksportuar armë në të paktën 98 shtete gjatë pesë vjetëve të kaluar. Këtu kanë qenë të përfshira edhe armët e avancuara, si aeroplanët luftarakë, raketat me rreze të shkurtër, raketat balistike dhe bombat me komandë”, tha Aude Fleurant, drejtoreshë e këtij instituti.
Sipas këtij raporti, eksporti i armëve të mëdha nga Shtetet e Bashkuara në periudhën 2014-2018 ka qenë 75 për qind më i lartë sesa eksporti i armëve nga Rusia, ndërsa ky dallim në periudhën 2009-2013 ka qenë vetëm 12 për qind.