Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, priti në Kamenicë ambasadorin e Kanadasë për Kosovë Daniel Maksymiuk dhe përfaqësuesit e Qendrës për Studime Sociale dhe Zhvillim të Qëndrueshëm LEAP.
Në punëtorinë e organizuar nga LEAP me nxënëset e klasave të 12-ta të Komunës së Kamenicës, u diskutua për rritjen e pjesëmarrjes së vajzave në drejtimin e Shkencave Natyrore, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë (STEM).
Ambasadori Daniel Maksymiuk tha se është shumë i lumtur që ndodhet në Kamenicë bashkë me pesë mentoret që kanë folur rreth fushës së intelegjencës artificiale në këtë punëtori.
“Kanadaja është gjithmonë e hapur dhe e gatshme që t’u ndihmoj juvë në fushat e intelegjencës artificiale”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari Kastrati tha se fatkeqësisht akoma po përballemi me stereotipe gjinore, që i prezantojnë drejtimet e fushave ekzakte si të përshtatshme për gjininë mashkullore.
“Pavarësisht të gjithave ka shumë gra e vajza që janë shumë më të suksesshme në fusha të caktuara sesa burrat e djemtë. Duhet të mundohemi jashtëzakonisht shumë që të kemi një balanc gjinor në të gjitha fushat, në mënyrë që ta përmbushim barazinë gjinore”, tha ai.
E, Edona Maloku nga Qendra për Studime Sociale dhe Zhvillim të Qëndrueshëm, tha se ky projekt synon që të adresoj përfaqësimin e vogël të vajzave e grave kosovare në profilet STEM.
Sipas saj, ky boshllëk gjinor në këto profile bëjnë që vajzat e gratë të punojnë në profile e vende pune, të cilat paguhen më pak krahasuar me djemtë e burrat.