Ambasada amerikane në Prishtinë ka thënë se qëllimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) është që ta mbështesë Kosovën që të bëhet pjesë e strukturave evropiane dhe euroatlantike, duke theksuar se “pavarësia e Kosovës është fakt”.
Ky reagim në “Twitter” vjen ndaj lajmeve se llogaria e saj në këtë rrjet social kishte “pëlqyer” një postim të një mediumi serb që fliste për ç’njohjet e pavarësisë së Kosovës.
“Llogaria zyrtare në ‘Twitter’ e Ambasadës amerikane nuk e ka ‘pëlqyer’ qëllimshëm asnjë postim në ‘Twitter’ në 24 orët e fundit. Siç e kemi thënë edhe më herët, kur ne duam të artikulojmë një qëndrim, ne e bëjmë përmes kanaleve zyrtare, deklaratave, e jo përmes ‘pëlqimeve’ në rrjetet sociale”, është thënë tutje në sqarim.
Ambasada ka shtuar se kundërshton në mënyrë kategorike “çdo përpjekje për të vënë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”. /2LONLINE/