Në Ministrinë e Punëve të Brendshme u bë pranim-dorëzimi i donacionit të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, për MPB-në dhe agjencitë e saj.
Pranim-dorëzimin e bënë Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu dhe Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë (INL), z. Shawn Waddoups.
Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Agim Veliu theksoi se ashtu si përherë, edhe sot miqtë tanë amerikanë po qëndrojnë afër nesh, duke shpreh edhe me këtë rast kujdesin dhe respektin e popullit dhe qeverisë amerikane ndaj popullit dhe shtetit tonë, konkretisht ndaj institucioneve dhe individëve të cilët me muaj të tërë po qëndrojnë të palëkundur në ballë të detyrës, si vija e parë e atakut të virusit Covid-19.
Ministri Veliu theksoi se “Donacioni të cilin po e pranojmë sot do t’i shërbejë dhe do t’i ndihmojë MPB-së dhe Agjencive ndërlidhëse me Ministrinë për kryerjen sa më të mirë, më efikase dhe më të lehtë të detyrave dhe obligimeve të përditshme në funksion të një sigurie dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”.
Me këtë rast Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare për Narkotik dhe Çështje të Sigurisë(INL), z. Shawn Waddoups, theksoi se SHBA-të mbeten të përkushtuara ndaj mbështetjes së Kosovës, duke u përgjigjur ndaj kërkesave për menaxhimin e COVID-19 dhe duke ofruar e asistencë për MPB-në dhe agjencitë e saj.
“Arsyeja pse ne jemi të lumtur që po e bëjmë këtë ndihmë, ka të bëj me sakrificën të cilën ju po bëni për një Kosovë më të sigurt.
Policia e Kosovës ka qenë në vijë të parë të frontit për ballafaqim me pandeminë, duke potencuar edhe punën e vazhdueshme të Agjencisë së Forenzikës dhe Akademisë së Kosovës për Siguri Publike nën rrethana sfiduese.
Në këtë fazë duhet të jemi vigjilent me atë çfarë është duke ndodhur me situatën me këtë virus dhe të inkurajojmë publikun të marrin masa parandaluese për sigurinë e tyre.
Të gjithë ne së bashku duhet të ju dalim në ndihmë zyrtarëve të cilët po merren me hetime të rasteve që kanë të bëjnë P.sh me dhunën në familje. Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë Kosovën në zbatimin e ligjit, sidomos në përmirësimin e gjendjes së përgjithshme”, theksoi Waddoups.
Donacioni përbëhet nga 9800 maska shumë përdorimesh, afro 6700 palë dorëza dhe dezinfektues.