Qindra qytetarë të komunës së Bujanocit morën pjesë në përurimin e rrugës së asfaltuar që lidhë Breznicën me qendrën e kësaj komune, Bujanocin.
Me daulle e flamuj kombëtar banorët e Breznicës takuan qytetarët nga komuna e Bujanocit me në krye udhëheqësinë komunale, në hapjen zyrtare të rrugës së re që ka një gjatësi prej 6 kilometrave.
Të përqafuar si vëllai me vëllain, ata uruan njëri tjetrin për këtë arterie të re që në masë të madhe lehtëson jetën e qytetarëve të Breznicës dhe tërë Malësisë së Bujanocit.
“Sot është një ditë e madhe pasi po lidhim qytetin e Bujanocit me Malësinë. Kjo rrugë e cila me vite ka qenë nevojë jo vetëm e banorëve të Breznicës, por edhe e Muhocit, Çarrit, Zarbincës, Novo Sellës dhe shumë vendbanime tjera të Malësisë së Bujanocit, por ka qenë nevojë edhe e Bujanocit, Tërnocit, Letovicës, Konçulit, Lluçanit, Bilaçit , Samolicës dhe shumë vendbanimeve tjera të kësaj komune”, u shpreh kryetari i komunës së Bujancit Nagip Arifi pas prerjes së shiritit që shënoi edhe hapjen zyrtare të rrugës, transmeton Portali Titulli.
Arifi tha se “kjo rrugë ka qenë amanet i Komandant Lleshit dhe detyrë e ish ushtarëve të UÇPMB-së, se duhet ta lidhim Malësinë me qytetin e Bujanocit”.
Kryetari i Kuvendit Komunal Jonuz Musliu në fjalimin e tij para masës së tubuar tha se “sot pas 13 viteve të ndërtimit të urës nga banorët e fshatit Tërnoc dhe me punën e ushtarëve të UÇPMB-së, tani u realizua ky projekt, dëshirë e kamotshme dhe vullnet i qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”.
“Pas shumë përpjekjesh që kemi bërë deri më tani, sot më 25 nëntor po kurorëzohet projekti më gjigant për tërë Malësinë dhe komunën e Bujanocit. Me të vërtetë që ky është simbol i bashkimit kombëtar, sot po realizohet amaneti, përpjekja, vuajtjet, dhimbjet e gjithë dëshmorëve tanë dhe të gjithë atyre që u përpoqën deri në ditën e sotme”, u shpreh Këshilltari në Kuvendin Komunale nga fshati Breznicë, Shpend Xhelili.
“Bashkimin kombëtar” nga rruga e Breznicës e deri në Shqipëri i urojë të gjithë qytetarëve edhe babai i Komandant Lleshit, Hysen Qazimi, duke theksuar se rruga e sapo ndërtuar është rrugë e bashkimit.
Për rrugën e sapo përuruar, qytetarë të shumtë shprehën gëzimin dhe urimet për njëri tjetrin, duke falënderuar edhe udhëheqësinë komunale, sidomos kryetarin Nagip Arifi që realizoi premtimin që e kishte dhënë.
Punimet në rrugën Tërnoc-Breznicë me një gjatësi prej rreth 6 kilometrave, filluan në korrik të vitit 2012, menjëherë pas zgjedhjeve lokale ku Partia Demokratike e udhëhequr nga Nagip Arifi doli fituese.
Në këtë rrugë janë investuar rreth 120 milionë dinarë, ndërsa kompania e kontraktuar për kryerjen e punimeve në këtë terren malor ishte “Saba Bellça” nga Presheva./Titulli.com/