(2L ONLINE) – Komisioni Komunal për Konstituimin e Këshillave të fshatrave, vendbanimeve dhe lagjeve urbane ka mbajtur sot mbledhjen e radhës me OJQ “Agro-Eko”, ku është bërë caktimi i katër fshatrave të radhës në të cilat do të themelohen Këshillat e tyre.
Konstituimi i Këshillit të fshatit në Velekincë do të bëhet më 17 shtator, në Cërnicë më 18 shtator, në Përlepnicë më 24 shtator dhe në Dobërqan më 25 shtator të këtij viti.
Në këtë takim ka pasur konsensus të plotë në caktimin e fshatrave për themelimin e këshillave. Me këtë rast kryesuesi i Komisionit Komunal, Avdyl Aliu se pas zgjedhjeve të këshillave të fshatrave qytetarët do ta kenë më të lehtë t’i adresojnë çështje dhe prioritetet e tyre ku jetojnë.
Deri tani, janë konstituuar Këshillat e gjashtë fshatrave të Komunës së Gjilanit, ndërsa zgjedhjet e këshillave të katër fshatrave të tjerë e shënojnë përmbylljen e këtij pilot-projekti prej 10 fshatrave, të financuar nga USAID-i.
“Konstituimi i këtyre dhjetë fshatrave do të jetë tregues i mirë që sa më parë të përfundohen edhe Këshillat në fshatrat dhe lagjet tjera të qytetit”, tha kryesuesi i Komisionit Komunal, Avdyl Aliu.
Ky projekt po realizohet me iniciativë të kryetarit të Komunës z. Lutfi Haziri në bashkëpunim me organizatën Agro-Eko, ndërsa është financuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë./2L ONLINE/