/2L ONLINE/ – Ishte Riad Rashiti I PDK-së që kishte ironizuar i pari në llogari të kryetari të komunës Lutfi Haziri, për shkak të vizitave të tija të shumta jashtë vendit, e që për Rashitin ishin vizita turistike, andaj edhe për këtë kishte propozuar ndërtimin e një Aeroporti që do të duhej të ndërtohej në fshatin Llovcë (vendlindje e Lutfi Hazirit).
“Do të kishte shumë efekte pozitive në zhvillimin e rajonit të Anamoravës, e në veçanti do t’ia lehtësonte udhëtimet turistike kryetarit të Gjilanit Lutfi Hazirit, i cili më shumë po rri “N’hava” duke shëtitur jashtë vendit me “Ballon”, se sa nëpër rrugët e Gjilanit që janë shndërruar në përroska dhe ku qarkullimi në to, tani mund të bëhet vetëm me qerre e katër kuaj. E pastaj do të mund të ruhej edhe më tutje kjo gjendje në rrugët e Gjilanit, për ta kujtuar kohën e gurit”, kishte “thumbuar’, Rashitii PDK-së.
E në seancën e sotme ishte Avdyl Aliu, shef i Grupit të Këshilltareve të LDK-së, i cili ia ktheu këtë “thumbim” Rashitit, për këtë “humor” të tij, duke thënë se është “propozim i mirë” , por se tha se duhet edhe një propozim tjetër, të ndërtimit të një shkolle, ku, duke aluduar në Rashitin por edhe opozitën në përgjithësi, izolimin e saj përkatësisht paaftësinë e tyre, Aliu tha se aty, në atë shkollë, do të mësohej, ndër tjerash, edhe se si nxirren biletat, si me i rezervua biletat, si duhet me hip ne aeroplan, si me dal jashtë kufijve…..
Përndryshe, në lidhje me kritikat e Riad Rashitit për çështjen e vizitave jashtë vendit, kishte reaguar edhe vet Lutfi Haziri i cili kishte thënë se kritikat që vijnë në adresë të tij, më tepër janë në suaza të përfaqësimit politik individual, janë deklarata individuale të ndonjë këshilltari komunal, që ndonëse është ambicioz, me autoritetin dhe namin që ka, nuk mund ta kaloj as Llabjanin.
“Dikush po përpiqet që duke kaluar nëpër ura të mëdha të bëhet i njohur, por të tillëve u ka sugjeruar ta mësojnë notin!”, kishte thënë Haziri. /2L ONLINE/