(2L ONLINE) – Avdyl Aliu, Shef i Grupit të këshilltarëve komunal të LDK-së në Gjilan, ka thënë se sot bashkë me zyrtarët e zyrës së projekteve, me zyrtarët e drejtorisë për kadastër, gjeodezi dhe pronë dhe me punëtorët e kompanisë e cila po e realizon këtë projekt ishin në teren për të bërë matjet për vazhdimin e projektit të kanalizimit të ujërave atmosferike të filluar kohë më parë në Zabel.
Aliu i ka thënë Portalin 2L ONLINE se arsyeja e ndërprerjes disaditëshe të punëve në këtë projekt ka qenë fakti se projekti i bërë nuk ka qenë në harmoni me Planin Rregullues “Livadhet e Arapit”. Për këtë arsye është nevojitur kohë për të të bërë këtë harmonizim duke iu shmangur kështu problemeve që kishin me lindë më vonë.
“Nuk ekziston asnjë arsye tjetër për ndërprerjen disaditëshe të këtij projekti, nuk qëndron ajo që është thënë nga këshilltarët e PDK-së kinse shefi i GK të LDK-së – Avdyl Aliu e pengon realizimin e këtij projekti, kjo nuk ka kuptim sepse vet shefi i GK të LDK-së ka qenë ai që ka lobuar për ta sjellë këtë projekt në Zabel e tash me dal e me pengu projektin, kjo nuk pi ujë”, thotë Aliu.
Edhe pas këtyre harmonizimeve vija e kanalizimit i përshkon tri prona të tij, por se Aliu thotë se këto tri prona i janë dhënë në dispozicion kompanisë ndërtimore që e realizon këtë projekt pa kurrfarë kompensimi.
“Nën udhëheqjen e këtyre këshilltarëve të PDK-së për 6 vite me radhë lagja e Zabelit nuk e ka përfituar asnjë cent investim, asnjë projekt. Për këto 6 vite nuk ka kaluar asnjë ditë të vetme që qytetarët e Zabelit në mënyra të ndryshme nuk kanë kontribuar në mbushjen e buxhetit të Komunës dhe të Kosovës. Ka të atillë që flasin dhe të atillë që punojnë , më vjen mirë që i takoj kategorisë së dytë. Qytetarët e komunës së Gjilanit ç’do ditë e më tepër po i ndiejnë investimet e mira në komunë”, ka thënë Aliu.
Ai ka thënë se është i vërtet fakti se kanë filluar të iu hidhërohen pronarët e hoteleve dhe të restauraneve, por ka kërkuar mirëkuptim prej tyre sepse ato të holla që janë mësuar ti marrin prej komunës tash ato të holla po i prekin nevojat dhe hallet e qytetarëve siç është rasti edhe me Zabelin.
“Është i vërtetë fakti se tani nuk ndodhë që një veturë e komunës të harxhoj 36 lit/100 km. Është i vërtetë fakti se tani nuk ndodhë që një veturë (edhe pse në defekt) me zero km qarkullim të figuroj se është pastruar 24 herë. Shumë këso absurde nuk do të ndodhin më, iku koha e absurdeve, qytetari i Gjilanit ç’do ditë po shkon duke u akomoduar në rehati reale me tendencë të ngritjes pozitive”, ka thënë Avdyl Aliu, Shef i Grupit të këshilltarëve komunal të LDK-së në Gjilan. /2L ONLINE/