Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar. Gjatë këtij takimi, ministri Hoxhaj ka thënë se angazhimet e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe aleancës së përbashkët botërore ndaj ISIS-it janë dëshmi e qasjes proaktive dhe dinamike në politikën e jashtme kosovare.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj e ka njoftuar përfaqësuesin special të BE-së për progresin që po arrin Kosova në fuqizimin e shtetësisë dhe të subjektivitetit ndërkombëtar.
Hoxhaj ka folur për proceset integruese evropiane të Kosovës, duke u ndalur te nevoja e përmbylljes sa më të shpejtë, gjatë këtij viti, i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit si dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Hoxhaj dhe Zhbogar kanë biseduar edhe për vendimet e fundit të Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet ndërkombëtare, ku ministri Hoxhaj shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar për të gjitha temat që kanë për qëllim stabilitetin dhe paqen botërore.
“Angazhimet e fundit të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe aleancës së përbashkët botërore ndaj ISIS-it janë dëshmi e qasjes proaktive dhe dinamike në politikën e jashtme kosovare”, ka thënë Hoxhaj.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, përfaqësues special i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, vlerësoi progresin në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtutjeshme të BE-së për Kosovën.
Ministri Hoxhaj e falënderoi Zhbogar për kontributin e tij dhe të institucionit që përfaqëson për Kosovën në të gjitha fushat, duke kërkuar vazhdimin e mëtutjeshëm të përkrahjes për shtetin e Kosovës.