Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim pune, në kuadër të bashkëpunimit ndërkomunal, sekretaren gjenerale të Asociacionit Europian për Demokraci Lokale (ALDA), me seli në Bruksel, Antonella Valmorbida, me pjesëmarrje edhe të kryetarëve të komunave të këtij regjioni.
Kryetari Lutfi Haziri ka thënë se ky takim është në funksion të rritjes së bashkëpunimit duke u thirrur në shembuj dhe njëkohësisht për format e ardhshme të bashkëpunimit për zhvillimin e demokracisë lokale, zhvillimin ekonomik dhe perspektivën e qartë europiane.
“Sot kemi në Gjilan sekretaren e përgjithshme të ALDA-s, me të cilën kemi biseduar për bashkëpunimin e deritashëm mes komunave dhe format tjera më të mira për të ardhmen. Ne jemi shembull i mirë i bashkëpunimit pa asnjë dallim fetar, etnik ose kulturor dhe hapi tjetër do të jetë eksportimi i mallrave në vendet tjera. Po punojmë, gjithashtu, që bashkëpunimi të jetë edhe më i madh sepse duke kontribuar aty ku jemi do të ketë zhvillim dhe ecje të përbashkët përpara”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai tha se për këto dy ditë me radhë është duke u punuar në gjetjen e formave më të mira për të bashkëpunuar në programe të ndryshme nëpër komunat e regjionit të juglindjes, për konkurrim si partnerë në programe e projekte të përbashkëta dhe për të siguruar qëndrueshmëri dhe rrugë të qartë europiane.
Kurse, sekretarja gjenerale Asociacionit Europian për Demokraci Lokale (ALDA) me seli në Bruksel, Antonella Valmorbida, ka inkurajuar komunat e Kosovës që të jenë bashkëpunuese të vazhdueshme në shërbim të një jete më të mirë për qytetarët në përgjithësi.
“Jemi të bindur se zhvillimi ekonomik fillon me zhvillimin lokal. Jemi të fokusuar për të mbështetur zhvillimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit në nivelin lokal. Ndërsa, fokusi tjetër është mbështetja e perspektivës europiane te të rinjtë e këtij regjioni. ALDA dhe unë personalisht do të vazhdojmë angazhimin maksimal për një të ardhme të sigurt të komunave të Kosovës”, ka thënë mes tjerash sekretarja Antonella Valmorbida.
Në emër të Komunave tjera pjesëmarrëse ka folur Sasha Mirkoviq, nga Komuna e Kllokotit, i cili ka thënë se nëse dëshirojmë ecjen e fuqishme përpara, atëherë bashkëpunimi është i domosdoshëm dhe thelbësor mes komunave pa dallim në rrugën e suksesit për qytetarët e këtij regjioni.
Ndryshe, Gjilani është anëtare e organizatës ALDA, në të cilën janë të anëtarësuar mbi 300 institucione duke përfshirë edhe organizatat e tjera, shoqërinë civile etj., e që veprimin e saj e ka përtej hartës së BE-së.