E kemi kaluar këtë fushatë, të gjithë bashkë me njëri tjetrin, me një qëllim të përbashkët: të sjellim ndryshimin, për Gjilanin.
Kemi ecur në çdo fshat, kemi prekur së afermi çdo lagje të qytetit e biseduar me të gjithë banorët e Gjilanit. Kjo periudhë fushate, veç sa na e ka theksuar e rritur vetëdijshmërinë mbi problemet që ekzistojnë. E ka përforcuar skanimin e mëparshëm që i kemi bërë të gjitha zonave së bashku me ekipet e eksperteve. Na prek në ndërgjegje, gjithsecilit, të shikuarit të Gjilanit në situatën në të cilën ndodhet sot. E ne nuk mund ta lejojmë më këtë. Nuk mund të jetojmë më pa furnizim me ujë të pijshëm, pa infrastrukturë, me mungesa në të gjitha fushat e sektorët, pa përkrahje për fermerët e bujqit, për ndërmarrësit e sipërmarresit, për punëtorët e krejt popullin e Gjilanit.
Të gjithë banorët, na kanë mirëpritur e folur për shqetësimet e problemet e tyre. Ne i kemi dëgjuar e përjetuar bashkarisht çdo fjalë që ju na keni thënë. Janë ngulitur në mendjen tonë, e jemi bërë bashkë, për të përcjellë një frymë të re, që na takon e të cilën e meritojmë për të qeverisur më mirë. E falenderojmë nga zemra cdo banor/e, që me gjithë hallet e veta, ka gjetur kohën të na takojë, të na degjojë e të shprehet e flasë lirshmërisht për çdo çështje të cilën pushteti i kaluar nuk i ka dëgjuar e as nuk i ka marrë parasysh në tërë këto vite.
Nuk mund të mos shfaq një mirënjohje të thellë, për çdo aktivist/e, që është angazhuar me plot dëshirë e vullnet, për t’u bërë pjesë e kësaj fushate, e për të jetësuar një moment kyç të historisë së tashme e të ardhshme të qytetit. Ju falenderoj për punën e palodhshme, durimin, kurajon e guximin. Ju jeni pjesë e Lëvizjes, Levizja është përcjellëse e frymës së ndryshimit, e rrjedhimisht ju jeni themeli i një proçesi që tash e tutje do ngrejë një Gjilan ndryshe.
Kanë mbetur vetëm pak orë që na ndajnë nga 17 tetori. Dita e ndryshimit, dita e Vetëvendosjes, me anë të votës, për të bashkëqeverisur, për Gjilanin.
Për të gjitha moshat që po bashkohen për të mirën e njëri tjetrit.
Për të gjitha shtresat e harruara e të anashkaluara me vite.
Për të gjitha bizneset që janë pa mbështetje e për ata që duhet të vazhdojnë ta kenë mbeshtetjen e komunës për rritjen e tyre.
Për të gjitha lagjet që kanë mbetur të rrënuara.
Për të gjitha fshatrat të mbetura në hije e pa përkrahje.
Të bashkuar, si një trup i vetëm, ecim drejt fitores pa balotazh. Sepse bashkë jemi më shumë, bashkë jemi më mirë, bashkë punojmë e bashkë qeverisim.
Ju faleminderit!
Sekretariati për Media dhe Komunikim – Lëvizja VETËVENDOSJE! – Gjilan
/Hapësirë e rezervuar për fushatë/