“E kemi nisë këtë fushatë me bindjen se do sjellim një ndryshim historik në Gjilan. E ne, ia dolëm”, ka thënë Alban Hyseni fitues i garës së balotazhit për kryetar të Komunës së Gjilanit, sipas rezultateve preliminare.
Hyseni, që do të jetë kryetar i ri i Gjilanit ka thënë se ishin të motivuar nga Gjilani i lënë për shumë vite në harresë, e tash kjo kohë mori fund.
“Çdo problem që është shkaktu tash e sa vite ka një zgjidhje, e çdo kohe pas lënies në harresë e humbjes së shpresës, i vjen dita e ndryshimit, dita e lulëzimit të fitores së re. Ju e dëshmuat se ndryshimi jeni ju, e vetmja që na duhet tash është durimi që bashkërisht të i ndërtojmë ditët e mira”, ka thënë Hyseni në adrësë të qytetarëve mbështetës.
Ai tha se janë të sigurt në projektet e programet që i kanë e që së bashku do t’ia nisin rrugës për ngritjen e përfundimin e tyre.
“Ne nuk kemi premtuar të pamundurën, ne nuk premtojmë gjëra të parealizueshme. Ne kemi premtuar të pamundurën që shohim sot, por që e kthejmë në realitet, me shumë punë e përkushtim. Nuk ka më pritje, tash e tutje të ardhmen e ndërtojmë bashkë”, ka thënë tutje Hyseni.
Sipas tij Qeverisja do të jetë gjithëpërfshirëse.
“Qeverisja do të jetë gjithëpërfshirëse e si e tillë, tash e tutje, bashkëqeverisim në çdo lagje, çdo fshat, për të gjitha moshat, për të gjitha shtresat, për të gjitha komunitetet, për të gjitha bizneset, e mbi të gjitha për të gjithë qytetarët e Gjilanit. Ju, mund të mbështeteni në zanin e ri e udhëheqjen e re që e sollëm bashkë”, ka thënë Hyseni. /2LONLINE.com/