Njoftim shtesë
Policia e Kosovës, pas verifikimit dhe ushtrimit të kontrollit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku ishte raportuar për vendosjen e mjeteve shpërthyese, ka vërtetuar se këto informacione kanë rezultuar të jenë të rrejshme.
Puna në aeroport i është kthyer normalitetit dhe qytetarët/udhëtarë kanë vazhduar udhëtimet e tyre.
Policia e Kosovës, do të vazhdojë angazhimin e saj në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
Njoftim për media
Prishtinë, 16 qershor 2022
Policia e Kosovës, me datën 16.06.2022 në orët e pasdites përmes zyrës së mediave të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” ka pranuar një informacion për kërcënim me mjete shpërthyese në aeroport.
Bazuar në informacionet e pranuara, Policia e Kosovës menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme policore në funksion të trajtimit dhe hetimit të këtij rasti, duke angazhuar njësitet relevante policore, përfshirë ato për trajtimin e materieve shpërthyese dhe njësitin me qenë (K-9).
Policia e Kosovës, po ashtu ka ndërmarr veprime konkrete duke evakuuar personat/qytetarët në perimetrat e sigurisë, përderisa do të vazhdojë angazhimin e saj në bashkëpunim dhe koordinim edhe me institucionet tjera relevante. /2LONLINE/