/2L ONLINE/ – Ndonëse emancipimi dhe arsimimi i shoqërisë, në përgjithësi është i një shkalle më të lartë, megjithatë edukimi i të rinjve, përkatësisht i nxënësve nuk përkon me këtë realitet. Mbase në këtë moshë, mund të jenë edhe mundësitë më të mëdha për të devijuar shumë më lehtë. Sot të rinjtë tanë, një pjesë e konsiderueshme e tyre, fatkeqësisht janë bërë pjesë e pandashme e dukurive devijante.
Kështu është shprehur Fehmi Sylejmani, nga L[lëvizja Vetëvendosje, në mbledhjen e fundit të Komitetit të Arsimit në Gjilan, për dukuritë negativë të nxënësve në shkolla, për të shtuar se janë të çuditshme, por të vërteta, sjelljet e pa dëshiruara të disa nxënësve në institucionet tona shkollore. Ka prej tyre pa edukatë, janë të padisiplinuar, prishin rendin shtëpiak të shkollës, ofendojnë, nuk vijojnë mësimin me rregull, krijojnë numër të madh të mungesave të paarsyeshme, pastaj të pakulturuar, madje kërcënojnë edhe mësimdhënësit, e le më moshatarët e tyre, përtypja e çamçakëzit dhe pëshpëritja, pa respekt, të pamoralshëm, të papërgatitur fare për mësim, të shpërqendruar në mësim, pa libra, lapsa, çanta dhe uniforma shkollore, jo seriozë në punë, të pazellshëm, të pa koncentruar në mësime, llomotitës, grindavec/ngucakeq/ krijojnë banda të rrezikshme – dhunë, agresivë, egoistë, konsumojnë duhan, alkool dhe substanca narkotike. Kuptohet disa, jo të gjithë, thotë ai.
Sylejmani thotë se zakonisht jashtë objekteve shkollore, për rreth shkollës, oborrit, shfaqin sjellje vandaliste (thyejnë banka, karrige, dritare, dyer e tjera), Përdorin armë të ftohta (thika, brisqe të ndryshëm, boksa të metaltë, zinxhirë, kaçavida e tjera.), grabitje të gjërave të ndryshme e tjera.
“Aktualisht mësimdhënësit gjenden para një sprove dhe sfide të vërtetë, duke u përballuar gati për çdo ditë me ndonjë lloj të këtyre dukurive devijante që i cekëm më lartë. Është jo vetëm shqetësues, por edhe e dhimbshme dhe tepër brengosëse, si është e mundur që në këtë kohë, në vend se të vijnë gjenerata të mira dhe më të edukuara, sot për fat të keq, çdo vit kemi gjenerata më të paedukuara. Mendoj se duhet të bëhet një studim dhe analizë më e hollësishme e kësaj gjendje. Përderisa në shkollën e mesme të lartë kemi rregullore, që madje e përjashton nxënësin nga procesi edukativo-arsimor, duke i respektuar kriteret sipas rregullores, në anën tjetër në shkollat mesme të ulëta, një gjë e tillë është paksa më e vështirë për faktin se shkolla 9 –vjeçare është e obliguar dhe të gjitha procedurat për të larguar një nxënës, janë më të vështira”, ka thënë Sylejmani.
Ai tha se që të reduktohet numri i nxënësve të përfshirë në dukuri negative, sepse është e vështirë të zhduket në tërësi, atëherë duhet në radhë të pare të ndërmerren masa si: Këshillime me prindërit, për tejkalimin e problemeve familjare, me qëllim që mos të ndikojnë drejtpërdrejt në devijimin e fëmijës dhe lënien pas dore të edukimit të tij. Kujdesi ndaj shoqërisë me të cilën shoqërohet i riu dhe marrja e masave adekuate nëse ka rënë në shoqëri të keqe. Këtu vjen në shprehje bashkëpunimi prind-arsimtar. Depërtimi i mësim-besimit në shkolla, si faktor kyç në luftimin e devijimeve. (Si lëndë zgjedhore). Biseda më të shpeshta të prindërve me fëmijët e tyre, për problemet që i preokupojnë. Organizimi i fushatave më të shpeshta nëpër shkolla, që do të kenë për objektiv vetëdijesimin e tyre dhe ngritjen morale. Bashkëpunim më i madh i institucioneve shkollore me policinë, qendrën sociale, qendrat rehabilituese. Madje disa të dërgohen në shtëpi përmirësuese, duhet reaguar shteti në këtë drejtim. Të angazhohen domosdo pedagogë, psikologë dhe mjekë në shkolla, veçmas ato me numër të madh nxënësish dhe në ato që janë potencialisht me nxënës devijant. /2L ONLINE/
Fehmi SYLEJMANI