Me rastin e 15 vjetorit të themelimit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi”, mbrëmë në Galerinë e Arteve në Viti, është hapur ekspozita e fotografisë, që karakterizohet me ngjarjet dhe rezultatet e këtij Ansambli për gjatë veprimtarisë së deritanishme.
“Ky ansambël, për gjatë këtyre viteve ka treguar rezultate të çmueshme, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë kufijve të saj. Këto suksese na bëjnë të ndihemi krenar për këtë paraqitje dinjitoze dhe përfaqësim të komunës në Festivale të ndryshme”, ka thënë drejtori i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit Milot Lala.
Ekspozitën e ka përshëndetur edhe kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Qemajl Rexhepi, ndërkaq kryetari i “Ansamblit Kemajl Azizi”, Adnan Zenuni,ka thënë se sukseset dhe rezultatet tona janë edhe tuajat, pasi që me mbështetjen dhe përkrahjen si Institucionale e po ashtu edhe qytetarëve, kemi arrit këtu ku jemi tani.
“15 vite veprimtari janë përshkuar me rezultate tejet të mira të cilat keni rastin ti shihni të ekspozuara përmes fotografive, si dhe mirënjohjeve dhe çmimeve të shumta me të cilat jemi nderuar në pjesëmarrjet tona në Festivale Brenda dhe jashtë Kosovës”, ka thënë Zenuni.
Aktivitetet e Ansamblit “Kemajl Azizi” me rastin e 15 vjetorit të themelimit, do të vazhdojnë sonte me një program artistik prej orës 18:00 në Shtëpinë e Kulturës “Gursel e Bajram Sylejmani”, ku anëtarët dhe solistët do të prezantohen me këngë e valle të repertorit të saj ndër vite.