“Pas aktiviteteve dhe sukseseve të shumta të kohëve të fundit, me ftesë të Ministrisë së Kulturës, të Republikës së Shqipërisë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve (AKV) “Gjilani”, mori pjesë edhe në Festivalin e Këngës dhe Valles Shqipe, që u mbajt për herë të parë në Kavajë të Shqipërisë”.
Kështu bëri me dije, kryetari i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, Nehat Ferati, sipas të cilit, nga përfaqësuesit e Ansamblit u dha gjithçka nga përvoja e tyre, për të paraqitur sa më mirë vlerat tona kombëtare dhe për ta kënaqur publikun artdashës që ishte në masë të madhe prezentë.
Përndryshe, paraqitja u bë me një kolazh këngësh dhe vallesh të luajtura nga artistët e Ansamblit me përkushtim të madh, me valle të Karadakut të prirë nga valltari i mirënjohur Rifat Idrizi, dhe kolazh vallesh koreografike te punuara nga Qemajl Musliu e Arta Paspali, të orkestruara nga mjeshtri gjilanas, Murat Ismajli, nën shoqërimin e orkestrës profesioniste dhe këngëtarët gjilanas: Qemajl Musliu, Nehat Ferati, Eronita Qerimi dhe Adnan Leka.
Ferati tha se këto ngjarje kulturore janë shumë të domosdoshme për ruajtjen dhe kultivimin e këngës dhe valles sonë, andaj një falënderim të veçantë për organizatorët për pritjen e jashtëzakonshme dhe që kanë arrit me shumë mund të mbahet ky festival në qytetin e Kavajës.
“Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Gjilani”, po vazhdon përgatitjet në kushte jo te mira për programet e ardhshme sepse kemi disa ftesa, por do te shikojmë mundësitë financiare nëse do te kemi mbështetje nga institucionet tona, për të marrë pjesë në to”, ka thënë, Nehat ferati, kryetar i këtij Ansambli.