/2L ONLINE/ – Konkursi që kishte nxjerr Këshilli Drejtues i Teatrit të Gjilanit në bashkëpunim me Zyrën e kryetarit të Komunës, për 12 vende të punës-aktor, në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ka javë që është mbyllur, ndërkohë që aktorët konkurrues janë në pritje për t’u ftuar në audicion nga komisioni vlerësues.
Por, për shumë aktorë, problemet e këtij institucioni kulturor nuk do të zgjidhen as me këtë konkurs. Për aktorin Avni Shkodra, Teatrit të Gjilanit, vitet e fundit vetëm sa iu është tkurrur numri i punëtoreve dhe në vend se të rritet ky numër, ai shkon e zvogëlohet dhe edhe me këtë konkurs të fundit po ashtu zvogëlohet edhe numri i aktoreve rezident.
“Vlen të kujtohet se pozitat që nuk iu kanë kthyer teatrit janë: Financieri, rojtari, garderobierja, menaxheri dhe udhëheqësi artistik”, thotë tutje Shkodra për Portalin 2L ONLINE.
Sipas tij, dihet se aktorët kanë aplikuar në konkurs dhe janë duke pritur që brenda këtij muajit të kryhet komplet procesi edhe pse ende nuk është emëruar komisioni i cili do t’i vlerësonte aktorët. Megjithatë nuk pret shumë as pas kryerjes së këtij konkursi dhe përzgjedhjes së aktorëve sepse asnjëherë nuk po bëhet një zgjidhje e plotë dhe e përhershme për çështjen e teatrit.
Sipas tij, edhe konkursi në fjalë është shpallur duke u bazuar në dokumentin e këshillit drejtues të vitit 2015, i cili thotë se konkursi duhet të shpallet për të gjithë, përfshirë stafin teknik dhe udhëheqësin artistik, ndërsa tash duke u bazuar në po këtë vendim, është vendosur të shpallet konkurs për aktorë dhe për drejtor gjeneral, ndërsa konkursi në faqen zyrtare të komunës është shpallur vetëm për 12 aktorë. /2L ONLINE/