Data 20 nëntor është shënuar në kalendar si “Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”.
Me rastin e kësaj dite, edhe në Gjilan janë organizuar aktivitete të shumta ku në qendër të tyre ishin fëmijët.
E, për nder të 20 Nëntorit “Ditës Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”, Asambleja e Fëmijëve, në krye me kryetarin, Olti Suliqi ka vizituar tri shkolla fillore të Komunës së Gjilanit.
Suliqi ka bërë me dije se ishin në shkollat fillore “Musa Zajmi”, “Thimi Mitko” dhe “Selami Hallaqi” në të cilat janë zhvilluar aktivitete.
Ai ka bërë me dije se aty kanë prezantuar para filloristëve punën e Asamblesë që ai drejton. Pjesë a aktivitetit ishin edhe fëmijët me nevoja të veçanta.
“U bë e ditur për të gjithë të pranishmit në lidhje me atë se çfarë është Asambleja, çfarë aktivitete bënë Asambleja, por u dhanë informacione për të interesuarit edhe për Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve”, ka thënë Suliqi.
Siç dihet, data 20 nëntor, përkon me ditën e miratimit të Deklaratës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1959, si dhe miratimin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve në vitin 1989.
Sipas Konventës, e cila është marrëveshja më e ratifikuar në të gjithë botën, për të drejtat e njeriut, përfshinë të drejtën e jetës, të drejtën e shëndetit, edukimit dhe për të luajtur. Gjithashtu të drejtat për të patur një familje, për t’u mbrojtur nga dhuna dhe diskriminimi.
Përndryshe, për këtë aktivitet, Olti Suliqi tha se kanë pasur mbështetje dhe ka falënderuar kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, kryesuesen e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Shpresa Kurteshi- Emini, drejtuesit dhe përfaqësuesit e drejtorive përkatëse, si të DKA-së, DSH-së, DKRS-së dhe NJDNJ si dhe Organizatën “Syri Vizionit”.