(2L ONLINE) – Është organizuar nga Zyra Regjionale e OSBE – së në Gjilan, një punëtori me qëllim të shqyrtimit të idesë për mbajtjen e aktiviteteve të përbashkëta ndëretnike në mes të komunave Gjilan, Ranillug, Kamenicë dhe Novobërdë.
Ky takim pune është pjesë përbërëse e një projekti të gjerë në Kosovë “Forcimi i dialogut në mes të komuniteteve etnike dhe bashkëpunimi i tyre në Kosovë”. Qëllimi i takimit ka qenë që anëtarët e ekipit dialogues ti paraqesin idetë e tyre, për projekte të cilat duhet të realizohen brenda dy muajve të ardhshëm, në mënyrë që mirëkuptimi ndëretnik të përmirësohet nga ana e të rinjve si dhe të përmirësohet komunikimi në mes të pjesëtarëve të komuniteteve të ndryshme.
Në fillim të takimit nga ana e përfaqësuesit të OSBE është paraqitur projekti, më pastaj të pranishmëve u është drejtuar drejtori i zyrës regjionale OSBE në Gjilan z.Ulrcih Biffar, duke theksuar se ky është projekt i shkëlqyeshëm e që kontribut të madh japin të gjithë bashkërisht, prandaj për të arritur rezultate të duhura është e nevojshme që në aktivitete të marrin pjesë përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve.
Ndërsa Bujar Haziri, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan ka thënë se Gjilani është shembull i tolerancës etnike.
“Përmes pjesëmarrjes së të rinjve në aktivitete mund të arrihet një hap tjetër i suksesit. Problematika të shumta të cilat kishim para 14 vitesh sot ato i kanë mbetur të kaluarës. Të gjithë bashkërisht, duhet të punojmë për një të ardhme më të mirë për të gjithë pa dallime etnike. Nga këto katër komuna të regjionit të Gjilanit në përbërje me diversitet etnik dhe gjinor do të jenë pjesë e aktiviteteve rinore që DKRS do të organizoj në kuadër të ditës së rinisë më 25 shtator 2014 në Gjilan dhe ky është një shembull i mirë se si duhet të punojmë për një të ardhme më të mirë për rininë dhe shoqërinë pa dallime etnike dhe gjinore”,ka thënë ai ndër të tjerash.
Ndryshe në këtë punëtori kanë marrë pjesë anëtarët e ekipit dialogues të komunave Gjilan, Ranillug, Kamenicë dhe Novobërdë, anëtarët e Komitetit për Komunitete dhe përfaqësuesit e zyrës për kthim dhe komunitete. /2L ONLINE/