Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit V.H., i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 29 dhjetor 2019, pasi që me armë zjarri privoi nga jeta të ndjerin L.S.
Sipas aktakuzës, i pandehuri V.H., më 29 dhjetor 2019, rreth orës 04:50 minuta, në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta të ndjerin L.S., ashtu që derisa ishte duke drejtuar automjetin e tij, pasi arrin në rrugën ‘’NATO 99’’, shkaktohet aksident trafiku me kamionin të cilin ishte duke e drejtuar viktima, tani i ndjeri L.S., me ç’rast pas mosmarrëveshjeve rreth aksidentit me viktimën dhe djalin e viktimës, e nxjerrë armën e zjarrit, ndërsa, pasi viktima hyn në kamion dhe e mbyll derën, i njëjti afrohet tek dera dhe pasi dritarja ishte hapur, gjuan një herë në drejtim të viktimës, ku e godet nën vetullën e syrit të djathtë, i cili për shkak të plagëve të marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes.
Me këto veprime, i pandehuri V.H., ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, i njëjti pa autorizim ka mbajtur në posedim edhe dy revole të tjera, të cilat iu janë gjetur në automjetin e tij dhe fikshekë të llojeve të ndryshëm. Në këtë mënyrë ka kryer veprën penale ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.
Po ashtu, para rastit të ndodhur, i pandehuri V.H., në një restorant në fshatin Malishevë, gjersa ishte duke dëgjuar muzikë, me armë zjarri ka shkrepur disa herë brenda lokalit. Me këto veprime ka kryer veprën penale ‘’Përdorimi i armës apo i mjetit të rrezikshëm’’, nga neni 367 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 të KPRK-së.