Nga Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, sot është ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit R.H., për shkak të veprës penale ‘’Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’’ nga neni 410 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 26 dhjetor 2018, në Shtëpinë e Shëndetit, në fshatin Zhegër, komuna Gjilan, i pandehuri R.H., me dashje, me përdorimin e atëçastshëm të dhunës dhe me kanosje serioze për sulm, e ka sulmuar personin zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, mjekun kujdestar, tani të dëmtuarin F.Q.
I pandehuri ka ndërmarrë këto veprime, pasi që mjeku kujdestar, për shkak të grevës së përgjithshme, nuk i ka ofruar ndihmë mjekësore vajzës së tij dy vjeçare, ku i njëjti i revoltuar shkon në shtëpi dhe merr një sëpatë, me të cilën tenton t’a godet, mirëpo i dëmtuari arrin që t’a kapë sëpatën me dorë, me ç’rast të dy kacafyten mes vete, derisa aty ndërhyjnë policia dhe e arrestojnë të pandehurin.
I pandehuri, që nga data 28 dhjetor 2018, gjendet nën masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas Ligjit.