Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve R.P., S.Q. dhe M.L., për shkak të veprës penale ‘’Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’’, nga neni 358 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 7 dhe 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.P., si pronar, punëdhënës dhe person përgjegjës në firmën e tij’, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin e Punës dhe Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ashtu që nuk ka pasur të lidhur kontratë pune me punëtorin, tani të ndjerin B.E., nga fshati Ramjan, komuna e Vitisë dhe nuk ka krijuar kushte të sigurta të punës, me ç’rast derisa i ndjeri më 21 gusht 2019, duke punuar në një ndërtesë, në ndërtim e sipër, në afërsi të fshatit Shillovë, në Gjilan, së bashku me dy punëtorë tjerë, gjersa kishte qenë duke tërhequr një tub-gyp, për dërgimin e materialit për nivelizim të katit të fundit, përkatësisht kulmit të objektit, ka ardhur deri tek kontakti i tubit me telat e energjisë elektrike, me ç’rast si pasojë e kontaktit me rrymën, i ndjeri ka ndërruar jetë në vendin e punës.
Gjithashtu, për këtë rast janë përgjegjës edhe të pandehurit S.Q. dhe M.L., të cilët si bashkëpronarë, investitorë dhe persona përgjegjës të firmës së tyre, kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ashtu që si pasojë që nuk kanë krijuar kushte të punës dhe nuk kanë ndërmarrë masa për parandalimin e rreziqeve në punë, ka ndërruar jetë në vendin e punës, i ndjeri B.E.