Departamenti për Krime të Rënda, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Svetisllav Ivanoviq.
Sipas aktakuzës, më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i pandehuri si person zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve ‘’Kalaja’’, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve ‘’Ujku’’, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve ‘’Kalaja’’, i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, duke i shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 (dymbëdhjetëmijedyqind) euro.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta ndëshkojë me dënim meritor sipas Ligjit.