Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve B.A. dhe A.A., për shkak të dhunës në familje.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.A., më 19 dhjetor 2018, në fshatin Budrikë, komuna Viti, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij A.A., në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje verbale mes vete, lidhur me një mesazh, të cilin i pandehuri e kishte lexuar në telefonin e saj, fillimisht fjalosen, pastaj e godet me telefon, e kap për flokë dhe me grushte e godet në pjesë të ndryshme të trupit, të cilës i shkakton lëndime të lehta trupore.
Me veprimet e tij, ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ nga neni 188 paragrafi 3 pika 3.1 lidhur me nenin 1 pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Ndërsa, e pandehura A.A., në vendin dhe kohën e njëjtë, ka ushtruar dhunë në familje ndaj bashkëshortit të saj B.A., në atë mënyrë që pasi kupton se bashkëshorti i saj i’a kishte lexuar një mesazh në telefon, e pandehura në shenjë revolte me një dru e godet atë në krahun dhe këmbën e majtë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
Me veprimet e saj, ka kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’ nga neni 188 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 pika 1.4 të KPRK-së.
Prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë dhe t’iu shqiptojë dënimin e merituar sipas Ligjit.