Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, sot, pranë Gjykatës kompetente në Gjilan, ka ngritur tri aktakuza për dhunë në familje.
Në rastin e parë, sipas aktakuzës, i pandehuri B.A., më 29 dhjetor 2018, në Gjilan, me veprimet e tij dhe me dashje ka përdorur dhunë fizike ndaj të dëmtuarës K.C., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje, duke i kërkuar shpjegime rreth punës së saj, e godet me shuplakë, pastaj përsëri e godet në veturë duke shkuar tek një qendër tregtare, si dhe kur kthehen në banesën e tyre, prapë fillon të e ofendojë dhe kërcënojë me fjalë, ku në një moment i vërsulet me një kabllo në dorë, por e dëmtuara arrin të largohet nga vendi i ngjarjes.
Në këtë mënyrë, i pandehuri B.A., ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’ nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në rastin tjetër, i pandehuri S.S., më 25 dhjetor 2018, në komunën e Gjilanit, në një kafiteri, nën ndikimin e alkoolit, për shkak të xhelozisë rreth një telefonate, fillimisht ia merr telefonin bashkëshortes së tij, të dëmtuarës F.K. dhe e sulmon duke e kapur për flokë dhe duke e goditur me grushte në fytyrë, ku pasi shkojnë në shtëpi përsëri e godet me grushte në kokë, me ç’rast si pasojë e goditjeve e njëjta bie pa ndjenja.
Me këto veprime, i pandehuri S.S., ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’ nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës tjetër, i pandehuri B.S., më 02 janar 2019, në Gjilan, nën ndikimin e alkoolit, ka shkaktuar dhunë në familje ndaj bashkëshortes së tij, të dëmtuarës N.S., ku fillimisht i kërkon asaj dhe djalit të tyre që të largohen nga shtëpia e tyre, pastaj e sulmon të njëjtën, duke e goditur me grushte në fytyrë, derisa aty ndërhyn djali i tyre dhe e pengon.
Në këtë mënyrë, i pandehuri B.S., ka kryer veprën penale ‘’Sulm’’ nga neni 187 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Prokuroria, me rastin e ngritjes së aktakuzave, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe të njëjtit t’i dënojë sipas Ligjit.