Siguria, është një term i gjerë dhe relativ dhe nuk ka siguri absolute askund në botë, mirëpo, nëse e shtrojmë si çështje në nivel vendi mund të debatojmë se sa jemi apo si ndjehet një qytetar i thjeshtë, në lidhje me sigurinë në aspekte të caktuara në vend.
Shkruan: Bekim Thaqi
Në vitin që e lamë pas 2018, por edhe në fillim të 2019 ka pas disa dukuri të trashëguara e që kanë marrë hov edhe me tej, e ku do të ndalem tek dy prej tyre të cilat mund të zgjidhen lehtë e mirë vetëm duke pasur një strategji, menaxhim dhe vetëdije më të madhe si tek organet shtetërore të sigurisë ashtu edhe tek qytetarët.
Shtrohet pyetja cilat janë këto dy çështje të cilat nëse nuk trajtohen me kujdes dhe vendosmëri mund të vije edhe tek rrezikimi i asaj qe është më e dashur për qytetarët pra jeta dhe pasuria e tyre.
1. Aksidentet në trafik
2. Grabitjet e armatosura
Pika e parë ku do të ndalesha është numri i madh i aksidenteve në trafik dhe sidomos i atyre me fatalitete. Duhet theksuar gjithsesi se janë ndërmarrë shumë hapa në këtë drejtim nga institucionet shtetërore të sigurisë dhe prape rezultati shpeshherë ka qenë shumë i vogël duke marrë parasysh numrin e të aksidentuarve me fatalitet.
Policia si e vetme nuk mund ta bëjë gjithë punën po nevojitet një koordinim me MPB, fushate vetëdijësuese dhe automatizim i mënyrës se si bëhet parandalimi që përfshin vendosjen e radarëve statik dhe kamerave rrugore në semaforë dhe autostrada.
Të gjitha këto janë te arritshme pasi duhet vetëm vullnet dhe pak investim në këtë fushe. Mentaliteti ballkanas ku edhe ne si Kosovë bëjmë pjesë kërkon metoda më drastike për të funksionuar kjo.
Policia duhet të jetë me e ashpër dhe mos të lëshojë askënd pa e dënuar përveç në rastet kur nevojiten vërejtje me gojë atëherë kur kemi gabime të vogla në trafik. Nëse qytetari i Kosovës e din se nuk do ja hedhë pa u dënuar me siguri se nuk do të vozisë shpejt dhe pakujdesshëm në rrugët tona.
Deri tash dhe si duket ende mbizotëron mentaliteti se vozit si të duash se nëse e njeh dikë në polici nuk do të dënohesh. Këtu do ndihmonte përveç tjerash edhe pajisja e secilës veturë policore me kamera dhe të cilat përveç ofrimit të sigurisë për oficerët policor do të kontrolloheshin nga baza duke vëzhguar aktivitetet policore por edhe sjelljet e shoferëve në trafik.
Gjithashtu edhe radarët statik me kamera të cilët do fotografonin veturat që ecin mbi shpejtësinë e duhur dhe që do i mundësonin policisë dërgimin e dënimeve me anë të postës do të ishin fushata më e mirë vetëdijësuese për ngasësit që nuk respektojnë rregullat. Një fushate të tillë do ti nevojiteshin tre deri në 6 muaj që në masë të madhe të ulte aksidentet me dhe pa fatalitet në rrugët tona.
Çështja tjetër e cila kërkon poashtu një vëmendje dhe strategji të veçantë është edhe çështja e përhapjes se grabitjeve me dhe pa armë. Edhe këtu nevojiten strategji dhe menaxhim si dhe trajnime shtesë edhe për zyrtarët policorë që merren me këtë aspekt të sigurisë.
Mos të harrojmë se kemi te bëjmë me një mentalitet të instaluar se mund të bësh çfarë të duash dhe t’ia hedhësh paq pasi që gjyqësori po reagon tepër ngadalshëm dhe shpeshherë edhe në mënyrë joadekuate si preventivë për rastet e ardhshme.
Hapat kryesore që do duhej ndërmarrë janë:
1. Pajisja e njësive patrulluese me armë të gjata. (Si pasojë e mospasjes se armëve të gjata edhe reagimi policor nuk është proporcional ndaj kryesve të veprave kriminale, dhe gjithashtu arrihet efekti psikologjik sepse kur një grabitës e din që edhe policia posedon armë të gjata e ka më të vështirë që të mendojë për kryerjen e një akti te tillë)
2. Obligimi i bankave që të kenë roje të trajnuara profesionale të sigurisë me armë të shkurtra dhe eventualisht edhe të gjata.(Deri me tash bankat kanë punësuar roje jo profesionale dhe jo të trajnuara që më tepër u ngjajnë portirëve që hapin dhe mbyllin derën)
3. Formimi i njësive të veçanta hetuese që do merreshin vetëm me grabitjet e armatosura.
4. Zbatimi i ligjit nga organet e drejtësisë ashtu si parashihet e jo vetëm dënime me kusht dhe dënime minore.
Pika 4 mund të jetë kyçe për arritjen e një rezultati të prekshëm.