Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Kllokot-Viti, ku një veturë pasi ka humbur kontrollin është përplasur jashtë rrugës. Si pasojë e këtij aksident kanë humbur jetën dy persona dhe një i tretë dërgohet në QKUK-Prishtinë në gjendje të rëndë
Duke folur për rastin autoritetet policore kanë bërë me dije se Policia e Kosovës është informuar se më 31 tetor, pas mesnate rreth orës 00:10 minuta ka ndodhë një aksident trafiku. Nga hetimet e para dyshohet se deri te aksidenti të ketë ardhur atëherë kur një veturë në lëvizje, në të cilën kanë qenë tre persona, në rrugën, Kllokot-Viti, humb kontrollin dhe përplaset jashtë rrugës.
“Me këtë rast lëndime vdekjeprurëse pëson drejtuesi i automjetit (1985) i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa dy pasagjerët dërgohen në Qendrën emergjente në Gjilan. Njëri nga pasagjerët (1988) edhe përkundër ndihmës së ofruar ndërron jetë si pasojë e lëndimeve në aksident, ndërsa pasagjeri i tretë (1981) dërgohet në QKUK, në Prishtinë, në gjendje të rëndë”, thotë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan.
Sipas tij, lidhur me rastin është njoftuar prokurori për krime të rënda dhe me urdhër të tij trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion. Ky rast i rëndë është duke u hetuar nga Policia e Kosovës njësitet e trafikut rajonal. /2LONLINE.com/