Aleanca Kosova e Re nuk e ka ndërmend të dorëzohet nga “lufta”, për kalimin e pragut zgjedhor prej 5%, që e bën edhe atë pjesë të legjislaturës së pestë në Kuvendin e Kosovës. AKR aktualisht është jashtë kësaj përbërjeje pasi nga gati 100% të votave të numëruar del sa ka marrë 4.66% ose 32 mijë e 524 vota.
Mirëpo subjekti politik që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, pretendon se ka pasur parregullsi gjatë ditës së zgjedhjeve më 8 qershor sidomos në Mitrovicë, atje ku udhëheq kandidati i saj Agim Bahtiri.Në një komunikatë të lëshuar të premten AKR ka shprehur shqetësimin për ecurinë e votimeve të dielën.
Ata kanë vlerësuar se zgjedhjet e 8 qershorit janë përcjellë edhe me keqpërdorime, por probleme sipas tyre janë paraqitur edhe në procesin e numërimit të fletëvotimeve. “Aleanca Kosova e Re përmes anëtarëve të vet në KVV, ka pranuar fakte të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në Formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve, nga të cilat shihet se votat e AKR-së, me apo pa qëllim, u janë bartur subjekteve të tjera politike.Këto parregullsi dëshmohen me formularin e rezultatit të kandidatëve ku në të njëjtën vend votim, kandidatët kane vota ndërsa subjekti politik AKR-ja nuk ka as edhe një votë të vetme.
Deri më tani, AKR ka të identifikuar disa prej rasteve të tilla, të cilat seriozisht e dëmtojnë AKR-në, dhe njëkohësisht abuzojnë me vullnetin politik të votuesit”, ka shkruar AKR në reagimin e saj.