Në takimin përmbyllës të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Qeveria Gjermane “Mbështetje në Menaxhimin e Mbetjeve në Kosovë” dhe perspektiva e menaxhimit të mbetjeve në vend, kanë marrë pjesë Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) – z.Agim Aliu, Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) – z. Liburn Aliu, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës – z.Jörn Rohde, Udhëheqësi për Bashkëpunim i Zyrës së BE-së në Kosovës – z. Johannes Stenbaek dhe z.Stefan Mager – Menaxher i Projektit nga GIZ-i.
Prezantimin e përfundimit dhe arritjeve të projektit të financuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Qeveria Gjermane “Mbështetje në Menaxhimin e Mbetjeve në Kosovë” e ka paraqitur z.Stefan Mager – Menaxher i Projektit nga GIZ-i. Ndërsa ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planfikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z.Librun Aliu ka folur lidhur me progresin në Menaxhimin e Mbetjeve – Nevojat dhe Perspektivat për Zhvillimin e Sektorit.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës z.Agim Aliu duke folur rreth arritjeve e rezultateve në nivelin lokal tha se “Asociacioni i Komunave të Kosovës ka luajtur një rol vendimtar, përmes platformës së Kolegjiumit për Shërbime Publike dhe Grupit Punues të Zyrtarëve për Menaxhimin e Mbeturinave në shkëmbimin e përvojave të shumta në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
Falë këtij bashkëpunimi të ngushtë me projektin Shërbime të Qëndrueshme Komunale janë arritur rezultate të dukshme e të prekshme në Komunat e Republikës së Kosovës të cilat rezultate, do t’i përmbledh në disa pika si fjala vjen:
Është iniciuar dhe zhvilluar reformë e mirëfilltë ligjore e institucionale. Tashmë mund të themi se të gjitha komunat kanë:
– Plane Komunale për menaxhimin e mbeturinave,
– Zyrtarë të Përhershëm komunal për menaxhimin e mbeturinave,
– Inspektorë Mjedisor,
– Sistem të mirëfilltë operimi, përmes kontraktimit të kompanive për grumbullim të mbeturinave sipas kërkesave ligjore të prokurimit,
– Analizë të efikasitetit në kosto dhe përcaktimit të tarifave,
– Qasje në pjesëmarrje në Grantin e Performancës Komunale- Mjedisi i Pastër.
Gjithashtu, stimulimi i komunave përmes skemës së Grantit të Performancës Komunale- Mjedisi i Pastër, e bashkë-financuar nga zyra e BE-së në Kosovë, Qeveria Gjermane dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ka ndikuar që komunat të punojnë shumë drejt përmirësimit të shërbimit, të arritjes së konkurrencës si dhe të përfitimit të të mirave materiale.
Qëllimi ynë, si Asociacion i Komunave të Kosovës, është që të jemi gjithmonë përkrah komunave, drejt misionit primar të tyre për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët, andaj, dëshiroj që të ri-konfirmoj se AKK do të vazhdojë të mbetet e përkushtuar edhe në të ardhmen që të jetë gjithmonë e gatshme për të përmbushur këtë mision.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka qenë gjithmonë i pranishëm në zhvillimin e proceseve kryesore në komuna, si dhe ka shërbyer si urë ndërlidhëse në mes të nivelit qendror dhe komunal, duke siguruar kështu që të bëhet një shtrirje e përgjithshme e proceseve dhe njohurive në çdo cep të Republikës së Kosovës.
Ndaj, Asociacioni i Komunave ka kontribuar në:
– Bashkëpunimin e ngushtë në procesin e zhvillimit të kapaciteteve, përmes shkëmbimit të përvojave dhe zgjerimit të njohurive, duke lehtësuar komunikimin përmes mekanizmave të AKK-së, Kolegjiumit të Drejtorëve të Shërbimeve Publike dhe Grupit Punues të Zyrtarëve Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave.
– Kontributin në zhvillimin e kapaciteteve në procesin e krijimit të sistemit të qëndrueshëm të monitorimit dhe raportimit në Agjencinë për Mbrojtje të Mjedisit të Kosovës.
– Avokimin në emër të Komunave tek niveli qendror dhe tek komuniteti i donatorëve, me qëllim të përmbushjes së kërkesave për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve e veçanërisht gjatë procesit të hartimit të politikave dhe legjislacionit në nivelin e komunave.
Prandaj, shfrytëzoj rastin, që në cilësinë e Kryetarit të Bordit të AKK-së, të falënderoj Zyrën e BE-së në Kosovë, Qeverinë Gjermane dhe Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, për ofrimin e mundësisë për të kontribuar në këto procese të rëndësishme në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, duke mundësuar që komunat të përgatiten lehtësisht drejt ecjes kah ekonomia qarkore.
Për këtë projekt, ndaj gjithashtu vlerësimet më të larta e konsideratat për bashkëpunimin e dobinë praktike që ka sjellë implementimi i saj edhe në emër të Komunës së Ferizajt.
Megjithatë, para nesh është një rrugë e gjatë, në zhvillimin e proceseve drejt menaxhimit të integruar të mbeturinave, bashkë-punimit ndër komunal dhe ekonomisë qarkore, prandaj, në emër të AKK-së, ri konfirmoj nevojën për mbështetje të mëtejme” – tha ndër të tjera Kryetari Aliu.
Në këtë takim përmbyllës kanë folur edhe z.Jörn Rohde – Ambasador i Gjermanisë në Kosovë, lidhur me mbështetjen e ardhshme nga Qeveria Gjermane, pastaj lidhur me perspektiven Strategjike e Sektorit në lidhje me Legjislacionin dhe Standardet e BE-së Z. Johannes Stenbaek Madsen (Udhëheqës për Bashkëpunim, Zyra e BE-së).
Prezantimi i dy projekteve të financuara nga BE dhe Qeveria Gjermane në sektor: “Zhvillimi Institucional për Modernizimin e Menaxhimit të Mbetjeve në Kosovë” dhe “Avansimi i Ekonomisë Qarkore dhe Menaxhimi i Integruar i Mbetjeve në Kosovë” e ka bërë z.Stefan Mager – Menaxher i Projektit në GIZ, ndërsa për lansimin e fushatës vetëdijësuese “Mendo Gjelbër. Vepro gjelbër e ka bërë znj. Linda Çavdarbasha – Zëvendësministre në MMPHI /2LONLINE/