Akil Gjakova është shpallur kampion në kategorinë e peshave deri në 73 kilogramë në Grand Prixin e Budapestit në Hungari, duke e shtuar edhe një medalje të artë në listën e sukseseve të tij.
Në finale, Akil Gjakova u tregua shumë i fuqishëm për xhudistin rus Georgii Elbakiev, të cilën e mposhti për t’ia siguruar Kosovës medaljen e parë të artë në këtë garë.
Kjo është medalja e gjashtë për 23-vjeçarin në Turneun Botëror të IJF, ku përfshihen tituj të Masters, Grand Slams e Grand Prix. Ai më herët e kishte fituar të artën në Paris dhe në Zagreb, të dyja në vitin 2018. Ndërsa, tri medalje të argjendta i kishte fituar në Hagë, Abu Dhabi dhe Tunis, po ashtu të gjitha në vitin 2018.
Në këtë garë, Kosovën e përfaqësuan dje edhe tri xhudiste – Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi. Këto dy të fundit ia fituan Kosovës nga një medalje të argjendtë, ndërsa Majlinda e mbylli garën pa medalje.