Manifestimi tradicional kushtuar Ridvan Qazimit-Komandant Lleshit ka përfunduar me mbajtjen e një akademie përkujtimore në shtëpinë e kulturës në Bujanoc.
Në ditën e tretë të manifestimit, nën përkujdesën e Këshillit organizativ, është mbajtur edhe akademia përkujtimore në të cilën morën pjesë, familja Qazimi, udhëheqësia e vetëqeverisjes lokale me kryetarin Nagip Arifi, deputeti Shaip Kamberi si dhe qytetarë.
Hisen Qazimi, prindi i dëshmorit, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrje në këtë organizim, duke e nderuar familjen, derisa kërkoi një respekt edhe për dëshmorët dhe familjet e tyre në Kosovë e Maqedoni, raporton Titulli.com.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi me këtë rast tha se të gjithë kemi obligim që dëshmorët t’i përkujtojmë, shokët e tyre t’i nderojmë dhe familjet e dëshmorëve t’i respektojmë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së, Afrim Agushi në këtë akademi përkujtimore shpalosi biografinë e Komandant Lleshit, që nga fillimi i aktiviteteve të tij në fushën e humanizmit, sport e deri në mbrojtjen e pragut të shtëpisë si pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Gjatë manifestimit treditorë të “Ditëve të Komandant Lleshit” në përvjetorin e 14-të të rënies së Ridvan Qazimit, përveç akademisë përkujtimore u organizuan edhe një varg aktivitetesh, nga ato kulturoro-artistike, sportive, marshi si dhe homazhe.
http://titulli.com/index.php?m=post&s=13182