(2L ONLINE) – Në Komunën e Gjilanit sot është organizuar Akademi përkujtimore në 15 vjetorin e rënies së dëshmorit Abdullah Tahiri, njeriu i cili publikisht thirri qytetarët t’i bashkoheshin Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse vetëm me këtë rrugë arrihej liria të cilën të gjithë e ëndërronin.
Të pranishëm në këtë Akademi ishin edhe kryeministri i vendit Hashim Thaçi, nënkryetari Rexhep Kadriu, kryesuesja e Kuvendit Valentina Bunjaku – Rexhepi, deputet të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të qeverisjes nga niveli lokal dhe ai qendror dhe qytetarë të shumtë.
Me këtë rast kryeministri Thaçi ka thënë se Abdullahu ishte emblemë e fuqishme e mbështetjes së UÇK-së në regjionin e Gjilanit. Ai ka thënë se trimëria, organizimi dhe ideali i tij ishin një fuqi e madhe jo vetëm për këtë anë, por edhe më gjerë. Dëshmorët janë dhe do të mbeten përherë simboli i lirisë së vendit. Rruga se kah duhet të ecim. Jemi krenar që lirinë e kemi arritur në vitin ’99, pavarësinë në vitin 2008 dhe tashmë po punojmë për ndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Ai ishte njeriu që gjithandej thirri për bashkim, pa dallime dhe me të vetmin qëllim bashkimin kundër okupatorit serbe, bashkimin rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thaçi ka thënë se çdo herë do të përulemi ne të gjallët para veprës së dëshmorëve, të rënëve dhe familjeve të tyre, sepse ata kanë dhënë jetën që ne sot të jetojmë të lirë. Ai tha se këto ditë që ne i gëzojmë sot, janë meritë e tyre, e sakrificës dhe gjakut të derdhur për liri, ka thënë kryeministri Thaçi duke shtuar se Abdullahun e kanë karakterizuar guximi intelektual e luftarak, oratoria dhe betimi që të vdes për lirinë e Kosovës.
Ndërsa nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, ka thënë se sot janë bërë 15 vjet nga rënia e heroit dhe trimit Abdullah Tahiri, i cili do të kujtohet përherë kauzën e tij politike dhe ushtarake.
“Janë bërë 15 vjet nga rënia e heroit Abdullah Tahiri, njeriut i cili ka sakrifikuar jetën e tij sikur edhe shumë dëshmorë, për lirinë që ne sot e gëzojmë. Ai shquhet edhe për angazhimet në organizimin e demonstratave të ’81-shit dhe shumë organizime të tjera ilegale në rrugën e lirisë. Trim që nuk iu tremb syri duke luftuar deri në flijim. Ne asnjëherë nuk e harrojmë sakrificën e madhe të heroit tonë kombëtar, por nuk e harrojmë as qëllimin për çka ai dha jetën, prandaj do të vazhdojmë të punojmë bashkë, që të arrijmë deri aty ku çdo dëshmor i kombit deshi të na qonte”, ka thënë nënkryetari Kadriu.
Për jetën dhe veprën e tij kanë folur edhe bashkëveprimtarët e tij si Ahmet Isufi, Zenun Pajaziti, Hydajet Hyseni dhe Shefik Surdulli, të cilët kanë përçuar tek të pranishmit një pjesë të jetës dhe veprës së Heroit të Komibit Abdullah Tahiri.
Ndërsa në emër të familjes Bejtullah Tahiri, i ka falënderuar të pranishmit për prezencën duke i ftuar të gjithë që të bashkohen për zhvillimin e vendit, ideal të cilin e kishin dëshmorët e rënë në luftën për liri. /2l Online/