Ramadan Ajvazi, shef i sektorit të pyjeve në Komunën e Gjilanit ka bërë apel , që në këtë kohë të thatësirës, të ruhen sa më shumë pyjet e livadhet nga zjarret e mundshme. Ai tha se pasi kjo kohë është me temperatura të larta, dhe po ashtu po hyjmë edhe në fazën e korrje shirjeve, nevoja për të qenë vigjilentë është më se e domosdoshme, pasi nga një pakujdesi fare vogël mund të vije deri te zjarret, që mund të shkaktojnë dëme të mëdha qoftë në pronat publike qoftë edhe në ato private.
Ai po ashtu ka bërë me dije se edhe institucionet komunale përgjegjëse kanë shtuar angazhimin në terren me qëllim të parandalimit, por edhe të lajmërimit dhe edukimit ët qytetarëve që ta ruajnë edhe pronën publike sikurse atë private sepse edhe ajo është e tyre.
Ajvazi tha për 2LONLINE, se janë në bashkëpunim të mirë me organet tjera relevante si me policinë, gjyqësorin, prokurorinë dhe emergjencat dhe se nuk do ët ketë tolerime, as për ata që janë të pakujdesshëm, por as për ata që janë të papërgjegjshëm apo dhe që qëllimisht ndezin zjarre.
“Dëshirojmë t’i njoftojmë qytetarët se kjo sanksionohet me ligj andaj nuk do të ketë pardon për askënd që do ët jetë shkaktar i ndonjë zjarri. Në këtë rast i bëjë apel edhe këshillave të fshatrave, sidomos kryetarëve të këtyre këshillave që të bashkëpunojnë me rrethin e tyre që të ndihmojnë në ruajtjen e pasurisë së përbashkët.”, ka përfunduar Ramadan Ajvazi, shef i sektorit të pyjeve në Komunën e Gjilanit.